Irani, bisedime me IAEA në Teheran

06/10/2014 00:00

Irani dhe mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojnë bisedime në Teheran gjatë së martës, sipas raportimeve të medias zyrtare, duke shënuar kështu takimin e tyre të parë, që kur vendi islamik shkeli afatskadencën e muajit Gusht, për të adresuar çështjen e kërkimeve të dyshuara për bombë bërthamore të tij.

Diplomatë thanë për Reuters gjatë javës së kaluar, se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) pritej të bënte një përpjekje të re për të avancuar hetimet afatgjata ndaj programit bërthamor të Iranit.

Zyrtarë perëndimorë thonë se Irani duhet të rrisë bashkëpunimin me IAEA, nëse kërkon të arrijë një marrëveshje të zgjeruar diplomatike me fuqitë botërore, gjë që do t’i jepte fund mosmarrëveshjeje prej një dekade mbi programin bërthamor dhe gradualisht t’i jepte fund edhe sanksioneve financiare dhe atyre me natyra të tjera, si ndaj prodhuesve të naftës.

Agjencia zyrtare e lajmeve iraniane, IRNA, tha se delegacioni i IAEA do të nisë bisedimet me zyrtarë iranianë “për të diskutuar çështjet e mbetura në lidhje me programin paqësor bërthamor të Iranit”. Më tej nuk jepeshin detaje të tjera.

Ndërkohë, agjencia IAEA e OKB-së, me seli në Vjenë dhe që prej vitesh është përpjekur të hetojë akuzat e Perëndimit se Irani po punon për të zhvilluar armë bërthamore, ende nuk ka bërë ndonjë koment. Irani thotë nga ana tjetër, sërish prej shumë vitesh, se programi bërthamor i tyre është tërësisht paqësor.

Në fillim të muajit të kaluar, IAEA dhe Irani nuk dhanë asnjë shpjegim se përse dështuan t’i përgjigjeshin pyetjeve të ngritura me afat përfundimtar 25 Gushtin, në lidhje me aktivitetet e dyshimta kërkimore ndaj testimeve të eksplozivëve dhe përllogaritjeve të neutroneve, të cilat mund të rezultojnë të aplikueshme në përjekjen për krijimin e bombës bërthamore.

Irani ka refuzuar akuzat, duke i quajtur të pabaza, por ka premtuar se do të punojë me IAEA që prej vitit të kaluar, kur Hassan Rouhani, i konsideruar si një pragmatist, u bë President i vendit me platformën zgjedhore për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar.

Top Channel