Pse doganat japin 135 milionë euro më shumë?

05/10/2014 00:00

Fatos Çoçoli – Për periudhën tetor 2013-shtator 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri me dije se ka mbledhur 18.9 miliardë lekë më shumë, ose 135 milionë euro. Këto nuk janë pak para.

Duhet të dimë se të gjitha të ardhurat e një viti të qeverisë sonë kapin shifrën 3.2 miliardë euro dhe të kontribuosh në një vit me katër për qind të të gjitha të ardhurave të shtetit, me shtesën mbi planin që i ke caktuar vetes, ka domethënie. Deri tani, në 24 vite tranzicion, vitet më të mira të doganave shqiptare kanë qenë viti 1996 i reformës së thellë tatimore dhe doganore, vitet 2006 dhe 2007, i dëshirës së qeverisë së re të asaj kohe, për të qeverisur me duar të pastra. Pastaj “duart” u bënë pis rrugës. Por edhe në ato vite, nuk arrihej të mblidhej më shumë se 50-60 milionë dollarë apo 40-45 milionë euro plus në vit. Po atëherë, çfarë ndodhi gjatë periudhës së fundit? Disa nga përgjigjet i ka dhënë vetë drejtoresha shumë e re e doganave, por mund t’i shkojmë edhe më thellë analizës. Së pari, është vullneti i pastër politik për të lënë organet parambledhëse të shtetit të bëjnë punën e tyre. Kjo drejtoreshë nuk ka pasur telefonata “eprore” natën apo ditën, për t’i dhënë të kuptojë që me filan firmë apo filan parti cigaresh të mbyllet njëri sy dhe të ngrihet trau, apo të hiqet sekuestroja e mallit akcizë.

Në këtë klimë, ku nuk lejohej korruptimi i kokës drejtuese të doganave (përkundrazi, inkurajohej të ecej me respektimin e ligjit), edhe bizneset janë mbledhur dhe kanë paguar detyrimet doganore me korrektësi, nga frika e sekuestrimeve dhe gjobave. Gati 2.2 herë më shumë kallëzime penale të Drejtorisë së Doganave, ndaj firmave që shkelnin ligjin, 2292 kontrolle dhe 1180 raste të zbulimit të shkeljeve të mallrave akcizë, e kanë bërë të tyren. Këto shifra nuk janë pak për një vit. Por nuk është vetëm vëllimi numerik i kontrolleve. Ato, edhe në sajë të ndihmës së çmuar të kompanisë angleze “Crown Agents”, janë përzgjedhur në bazë të metodës së vlerësimit të riskut, më në fund të zbatuar me profesionalizëm edhe tek ne. Doganierë të rinj nuk po vijnë më me vetëm një copë letër apo një telefonatë nga bojari i partisë apo qeverisë. Doganat janë lidhur në program pune të përbashkët me studentë të vitit të fundit të fakulteteve ekonomike dhe juridike dhe shpresojnë se mos një pjesë të mirë të tyre, që janë dalluar në këto programe, kur të marrin diplomën, të fillojnë punë, më së fundi si shërbestarë të këtij shteti, dhe jo si mbartës të favoreve politike e zarfeve me para nën dorë. Edhe përzgjedhjet e emërimeve të reja të deritanishme, kanë qenë cilësore në një pjesë të mirë.

Stafi i ri ka qenë në zemër të kontrolleve jofiktive dhe jo sa për numër e shou. Shumica dërrmuese e këtyre kontrolleve, të caktuara nga analiza e riskut, ka prekur pikërisht kompanitë dhe magazinat doganore ku abuzohej me mallrat e akcizës. Të gjitha këto u kanë dhënë, gjatë një viti, kumt të bollshëm bizneseve se zaret në doganat shqiptare kanë ndryshuar. Se dopiogjashta nuk i lihet më në dorë shtetit. Dhe bizneset kanë qenë të detyruara të bashkëjetojnë me mjedisin e ri jo dhe aq tolerues ndaj abuzimeve. Dhe janë përshtatur. Kësaj radhe, për mirë… Kuptohet që jo gjithçka ka shkuar në vaj. Jo sa hap e mbyll sytë doganierët e korruptuar janë shndërruar në engjëj që mendojnë si t’i japin sa më shumë para shtetit. Por ata “profesionistë të vjetër të zanatit” janë përpjekur të mbijetojnë, duke bërë korrektin dhe duke “ngrënë” shumë pak, sa të mos arrihet të kuptohet. Kjo ka shtuar ndjeshëm “llokmën” që merr shteti dhe që brenda një viti arriti në 135 milionë euro.

Dhe qershia mbi tortë, doganat shqiptare premtojnë se brenda tre javëve do të fillojë nga puna dogana e përbashkët me regjimin transit, në Morinë, mes Shqipërisë dhe Kosovës. Urojmë që më në fund, patatet kosovare të mos kalben në magazinat doganore, si dhe domatet e specat të kalojnë lirisht këtej kufirit. Jo pak tregtarë e sipërmarrës kosovarë të thonë në Prizren e Gjilan se po të ndryshojë regjimi doganor, tregtia e ndërsjellë Shqipëri-Kosovë mund të rritet me një të tretën e saj brenda një viti. Nëse 135 milionë euro erdhën më shumë në një vit, ndoshta edhe mallrat kosovare do të jenë më të pranishme në tregjet tona, me doganat e Shqipërisë që ndërmarrin reformën doganore si dikur doganat e ish-Europës së përçarë u bashkuan në sistemin doganor komunitar.

Top Channel