Lutja e prindërve të pengut amerikan

05/10/2014 00:00

Prindërit e pengut amerikan, Peter Kassing, apeluan nëpërmjet një videoje në internet dhe i bënë thirrje krerëve të ISIS që të lirojnë djalin e tyre.

“Ne i përgjërohemi rrëmbyesve të Peter, që të tregojnë mëshirë dhe ta përdorin pushtetin e tyre për ta lënë të lirë. Ne na dhemb zemra për lirinë e tij, e vetmja gjë që duam është që djali ynë ta fillojë jetën nga e para. I lutemi edhe autoriteteve për të ndërhyrë sa më shpejt në shpëtimin e tij. Megjithatë, ne besojmë se dhuna nuk është zgjidhja e problemeve tona, por duhet të shohim një zgjidhje përtej saj”, tha nëna e Peter Kassing.

Videoja e prindërve të 26-vjeçarit ka zgjuar reagime të shumë njerëzve në mbarë botën, të cilët kanë nisur një fushatë sensibilizuese: “Të lutemi për Peter Kassing”.

Ndërkohë, disa orë pas këtij apeli prekës të prindërve të Kassing, zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara u shpreh se shteti i tyre do të vazhdojë të përdorë çdo mjet për lirimin e Kassing, përfshirë ndërhyrjet ushtarake, diplomatike dhe ato të inteligjencës.

Ndërsa zëvendës/presidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh i revoltuar me vendet e tjera të Lindjes së Mesme, duke thënë se ata janë aleatët kyç që i japin krah ISIS, me ndihma financiare si dhe furnizim me armë, për ndërmarrjen e akteve terroriste.

Teksa misioni për identifikimin e pengmarrësit i është lënë në dorë forcave speciale të FBI-së, Uashingtoni ka zgjeruar sulmet e tij në hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë.

Top Channel