ISIS, talebanët e Pakistanit ofrojnë mbështetje

05/10/2014 00:00

Talebanët e Pakistanit kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për militantët e Shtetit Islamik, të cilët kanë pushtuar rajone të tëra në Irak e Siri.

Në deklaratën e tyre, që erdhi gjatë festimeve të Kurban Bajramit, grupi pakistanez apeloi ndaj islamikëve në rajonin e Lindjes së Mesme t’i bashkohen ekstremistëve të ISIS për të luftuar “armikun”, duke iu referuar aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Shteti Islamik po lufton gjithashtu edhe grupe militantësh rivalë, të lidhur me al-Qaedan në rajon.

Talebanët e Pakistanit kanë nisur kryengritjen e tyre kundër qeverisë së Islamabadit që prej 1997-s.

Deklarata e së shtunës është lëshuar nga lideri i “Tehreek-e-Taliban Pakistan” (TTP), Maulana Fazlullah, por e transmetuar përmes zëdhënsit të tij. Duke iu adresuar Shtetit Islamik në Siri e Irak, ai tha: “Jemi krenarë për fitoret tuaja kundër armiqve. Jemi me ju në kohë të mira dhe të vështira. Në këto ditë shqetësimesh, iu bëjmë thirrje të jeni të qetë dhe të qëndroni të bashkuar, pasi armiqtë tuaj janë bashkuar kundër jush. Harroni rivalitetet mes jush”.

Deklarata thoshte se komuniteti global i muslimanëve duhet “të qëndrojë krah jush në këto kohë të vështira dhe të ndihmojnë me ç’të munden”.

Top Channel