Bisedime mes dy Koreve

04/10/2014 00:00

Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut ranë dakort për rinisjen e bisedimeve formale të nivelit të lartë, bisedime të ndërprera që prej muajit shkurt të këtij viti.

Lajmi njoftohet nga Seuli që saktëson se marrëveshja për rinisjen e këtyre bisedimeve u arrit gjatë një vizitë surprizë të delegacionit koreano-verior për të marrë pjesë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Aziatike.

Delegacioni drejtohej nga dy zyrtarë të lartë të vendit komunist, të konsideruar si këshilltarë të afërt të udhëheqësit Kim Jong-un.

Takimi i parë mes delegacioneve pritet të bëhet brenda pak javësh. Njëri prej drejtuesve të delegacionit koreano-verior është Hwang Pyong-so, që vlerësohet si njeriu i dytë më i pushtetshëm në Korenë e Veriut, ndërsa nga pala Jugore bisedimet udhëhiqen nga Ministri i Ribashkimit, Ryoo Kihl-jae.

Hwang është ushtaraku më i lartë i Ushtrisë Popullore Koreane, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit është një ndërthurje mes ushtarakëve dhe drejtuesve politikë të Partisë së Punës.

Që prej katër vjetësh dy shtetet e të njëjtit komb nuk kanë patur asnjë marrëdhënie, qoftë edhe informale. Ndryshimi i kursit nga ana e Penianit interpretohet nga analistët ndërkombëtarë si i detyruar nga gjendja e mjeruar e ekonomisë së vendit komunist.

Top Channel