Raporti i OKB: Krime çnjerëzore në Irak

02/10/2014 00:00

Një raport i Kombeve të Bashkuara rithekson “dënon” edhe njëherë krimet çnjerëzore të kryera nga ISIS dhe grupet e lidhura me të në 9 muajt e fundit në Irak.

Raporti thotë se abuzimet e kryera nga 6 Korriku deri më 10 Shtator mund të cilësohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. OKB i bën thirrje udhëheqësve irakianë që të rivendosin unitetin dhe të rimarrin kontrollin e zonave të kontrolluara nga ekstremistët.

Megjithatë në raport nuk mbeten pa kritikuar edhe forcat irakiane të sigurisë dhe milicitë mbështetëse të Bagdadit.

Hartimi i raportit është bërë me kontributin e misionit të ndihmës për Irakun dhe zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Nju Jork në bazë të dëshmive të 500 personave. Raporti thotë se taktikat e përdorura nga ISIS kanë një karakter të zgjeruar dhe sistematik ku në shënjestër nuk janë vetëm kundërshtarët e armatosur, por në të shumtën e rasteve civilët.

“Këtu bëjnë pjesë sulme kundër popullsisë dhe infrastrukturës civile, ekzekutime të civilëve, pengmarrja, përdhunimi dhe forma të tjera të dhunës seksuale dhe fizike”, thuhet në raportin e OKB-së.

Aty shtohet se krimet ndaj grave dhe fëmijëve për shkak të besimit apo përkatësisë kulturore janë ndër më çnjerëzoret, shkatërrimi i pronës dhe mohimi i të drejtave themelore janë krime të kryera sistematikisht.

Subjekt i kësaj dhune të pashembullt, thuhet ndër të tjera në raport, janë policët, ushtarët, gazetarët dhe anëtarët e grupeve të ndryshme etnike irakiane që janë masakruar apo dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm në Irak, Nickolay Mladenov e cilësoi raportin tmerrues dhe tha se qindra dëshmi të tjera nuk janë përfshirë aty për shkak të pamundësisë për të verifikuar vërtetësinë e tyre.

Raporti fshikullon edhe forcat irakiane, sidomos bombardimet ajrore dhe disa operacione në terren, ku sipas OKB-së është përdorur dhunë e tepruar dhe pa dallim si ndaj militantëve, ashtu edhe ndaj civilëve të bllokuar mes dy zjarreve.

E ndërsa raporti i OKB-së ka qenë “duke u printuar” ISIS në Siri propagandonte anën e tij të errët: ekzekutime të tmerrshme me prerje koke, viktimat e të cilave kanë qenë pesë luftëtarë peshmerga kurdë, mes tyre dhe tri femra.

I njëjti fat iu ishte rezervuar edhe 4 arabëve sirianë. Jo pa qëllim, militantët e dhunshëm të Shtetit Islamik i kryen vrasjet në afërsi të Kobanes, qyteti kufitar me Turqinë, ku luftëtarët kurdë janë përfshirë prej ditësh në përleshje të ashpra me xhihadistët e ISIS-it.

Fotot e ekzekutimeve janë publikuar në internet. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se 9 luftëtarët ishin zënë rob gjatë luftimeve në Kobane.

Sipas këtij organizmi, militantët i kanë vendosur kokat e prera të grave në një bllok çimentoje e më pas i kanë fotografuar, ndërsa fotot i postuan nëpër rrjete sociale. Ka shumë gra, që luftojnë përkrah burrave në njësitë për mbrotjen e popullatës kurde, të njohura ndryshe si “YPG”, e që zyrtarisht përbëjnë krahun e armatosur të grupit kryesor politik kurd në Siri.

Top Channel