Përfundon “Different Trains 3”

02/10/2014 00:00

Ka përfunduar me sukses edicioni i tretë i Festivalit të muzikës së dhomës “Different Trains”. Në Tiranë dhe në Vlorë u zhvilluan pesë koncerte brenda një jave, nga disa prej instrumentistëve më të mirë të skenave botërore.

“Mund të them se ky edicion i tretë ka shkuar gjithnjë në rritje, pas dy edicioneve të para. Më bëhet qejfi, sepse publiku gjithmonë ka qenë prezent duke i mbushur sallat plot. Këtë vit patëm edhe një risi, pasi shkuam edhe në Vlorë për të luajtur dhe sallën e gjetëm plot edhe atje”, u shpreh violinisti Klaidi Sahatçi.

“Jam shumë i lumtur që doli kaq bukur. Emocionet ishin të mëdha gjatë të gjitha koncerteve, 4 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, edhe ky i fundit doli shumë bukur”, deklaroi Jonian Ilias Kadesha, violinist.

“Në një festival muzike nuk e di kurrë se kë mund të takosh. Unë nuk njihja asnjë prej muzikantëve, por jam surprizuar pozitivisht. Zgjedhja e muzikantëve në këtë festival ishte më e mira. Do të doja që të vazhdohej kjo traditë”, tha Vladimir Bukac, violist.

“Ishte një kënaqësi e madhe të njihja këta djem dhe i jam mirënjohës Vlorent Xhafajt, që më ftoi në këtë festival. Siç tha edhe kolegu, të duhet fat kur merr pjesë nëpër festivale, sepse nuk i njeh njerëzit. Por, për ne ishte shumë e lehtë të gjenim pikat e përbashkëta dhe shpresoj që festivali të vazhdojë”, tha pianisti Alexander Kobrin.

“5 koncerte në 7 ditë plus masterklas për muzikantët e huaj dhe shqiptar. Shpresojmë që të bëjmë edhe një edicion tjetër. Po mendoj për të katërtin. Ajo është thuajse e vendosur, por nuk e dimë se sa do të realizohet, megjithatë shkoi shumë mirë dhe jam i lumtur që luajtëm muzikën e vërtet në skenën kryesore të Shqipërisë”, tha në përfundim të “Different Trains 3” virtuozi shqiptar Vlorent Xhafaj, violinçelist.

Top Channel