Hong Kong, lideri nuk dorëhiqet

02/10/2014 00:00

Lideri i Hong Kongkut, Leung Chun-ying, u është përgjigjur protestuesve pro demokracisë, pasditen e së enjtes, se nuk ka aspak ndërmend të dorëhiqet, si dhe i paralajmëroi ata për pasojat serioze, siç u shpreh, të pushtimit të ndërtesave qeveritare.

Leung, duke folur vetëm pak minuta përpara skadimit të një ultimatumi për dorëheqjen e tij, tha gjithashtu se kryesekretari Carrie Lam do të zhvillojë një takim me studentët së shpejti, për të diskutuar reformat politike. Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat të caktuar kohor.

“Nuk do të dorëhiqem, sepse më duhet të kryej punën për të cilën më kanë votuar”, tha Leung, duke iu referuar reformave elektorale në ish-koloninë britanike.

Në Gusht, Pekini përjashtoi zgjedhjet e lira e demokratike për liderin e ri të këtij qyteti në vitin 2017, duke shkaktuar protesta masive, ndërsa studentë të shumtë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare prej një jave, kurse policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Leung apeloi ndaj protestuesve të tregohen të përmbajtur.

“Kudo në botë, nëse ka një protestues që rrethon, sulmon apo pushton një ndërtesë qeveritare, qoftë edhe selinë e Policisë apo zyrën e Shefit ekzekutiv, pasojat janë tepër serioze”, tha ai.

Autoritetet e Hong Konkut kanë nxitur më herët mijëra demonstuesit pro demokracisë t’i japin urgjentisht fund bllokadës së tyre në qendër të qytetit. Protestat rreth njëjavore kanë lënë në një gjendje të ngurtësuar një pjesë të madhe të kryeqendrës financiare aziatike.

Protestuesit nuk reaguan të irrituar pas adresimit të Leung, edhe pse shumica ishin të pakënaqur dhe thanë se komentet e tij nuk ishin të mjaftueshme për t’u justifikuar.

“Nuk mendoj se kjo është e mjaftueshme. Mendoj se ai po mundohet të ngadalësojë procesin dhe të na bëjë të shkojmë në shtëpi. Njerëzit janë të lodhur, mendërisht dhe fizikisht, ndaj dhe numri i protestuesve mund të bjerë”, tha një student gazetarie, 20-vjeçar, për Reuters.

Top Channel