Rusia, plan për kontrollin e internetit

22/09/2014 00:00

Rusia po bën plane për të vendosur nën kontroll shtetëror trafikun e internetit, që është cilësuar një emergjencë kombëtare.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ruse, sipas të cilave autoritetet i druhen një kryengritjeje të stilit të Pranverës Arabe, gjë që sipas tyre përbën emergjencën.

Planet për përforcimin e sigurisë kompjuterike janë në diskutim e sipër në Këshillin e Sigurimit të Rusisë. Mes tyre përfshihet edhe një plan mbështetës në rast se Rusia përjashtohet nga përdorimi i internetit, raporton agjencia e lajmeve “Vedomosti”. Aktualisht Rusia mbështetet gjerësisht në rrjetet e huaja të webit.

I pyetur mbi takimin e Këshillit të Sigurimit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kanë qenë tërësisht të paparashikueshme dhe për këtë arsye Rusia duhet të jetë gati për gjithçka.

Sanksionet e vendosura nga Perëndimi lidhur me krizën e Ukrainës tani vënë në shënjestër zyrtarë të lartë rusë, si dhe industritë ruse të naftës, armëve, manifakturës dhe atë bankare.

Liderët perëndimorë akuzojnë Rusinë se po destabilizon Ukrainën duke furnizuar me ushtarë dhe armatime të rënda trupat separatiste në lindje të vendit.

Ministri rus i Komunikimeve, Nikolai Nikiforov deklaroi se së fundmi Rusia është vënë në lëvizje për t’u bërë kontrast sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Në këto kushte ne po punojmë në skenarët në të cilët partnerët tanë të respektuar papritur vendosin të na dëbojnë nga interneti”, deklaroi Nikiforov.

Top Channel