Koalicioni kundër ISIS

14/09/2014 00:00

Forcat e Shtetit Islamik të ISIS vijojnë me stërvitje intensive ushtarake në Irak dhe Siri. Qëllimi i tyre për të sulme pushtuese duket se nuk është venitur, edhe pse presioni ndërkombëtar po bëhet akoma dhe më i fuqishëm.

Prestigjiozja “New York Times” bën të ditur se qeveritë e Lindjes së Mesme si Egjiti, Iraku, Jordania dhe Libani së fundmi u bashkuan me thirrjen e Barack Obames për një koalicion të zgjeruar kundër ISIS.

Ndërkombëtarët po vijojnë të mbështesin këtë aleancë të re pas lajmit se xhihadistët do të kalojnë kufirin e Sirisë.

Ndërkaq Arabia Saudite ka rënë dakord me kërkesën e SHBA-ve për të trajnuar forcat siriane në një program të avancuar ushtarak të quajtur ‘Stërvitja anti-ISIS”.  Në Rijad pritet të mbërrijë dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry për t’i specifikuar liderëve të Lindjes së Mesme, detaje të tjera lidhur me misionin.

Gjithashtu një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan tha se do të ndërmerren një sërë nismash të tjera për të dobësuar ISIS, përfshirë përpjekjet për të ndaluar gjenerimin e parave të grupit terrorist nga kontrabanda e  naftës si edhe duke kufizuar kontributet nga donatorët privatë.

Mirëpo masat gjithëpërfshirëse nuk e ndalin zgjerimin e grupit ISIS, qindra njerëz kryesisht të rinj përqafojnë terrorizmin çdo ditë , madje duke e berë publik vullnetin e tyre nëpër rrjete sociale.

Gazeta “Daily Mail” ka denoncuar shumë raste ku vajza dhe djem të rinj shfaqin akte force krah ISIS me video në “Youtube” dhe foto në rrjetet sociale. Por  të gjithë vendet që kanë kontingjentin e mundshëm për terrorizëm kanë marrë masa shtrënguese.

Ditën e diel në Britaninë e Madhe një grup 16-vjeçarësh po përballen me ekstradimin e SHBA për kërcënimin e kryerjes se masakrave në shkollat amerikane.

Ekspertët e çështjes dyshojnë se ata inspirohen nga ekzekutimet makabre të paraqitura me video.

Top Channel