Skoci, aktivistët pro-kundër mbushin rrugët

13/09/2014 00:00

Mijëra mbështetës të të dyja opsioneve të referendumit për pavarësinë e Skocisë kanë mbushur rrugët në fundjavën e fundit përpara votimit.

Grupi pro-pavarësisë “Po Skocisë” paralajmëroi më herët gjatë ditës se e shtuna do të ishte dita më e madhe e fushatës kombëtare që ka parë ndonjëherë Skocia.

Ndërsa grupi tjetër “Më mirë së bashku” kishte njoftuar se aktivitetet e tij do të shtriheshin në mbarë vendin. Mbështetësit e të dy grupimeve kanë shkëmbyer replika për epërsinë e njëri-tjetrit.

Aktivitetet u shoqëruan me ndërhyrje mbi shqetësimin e bizneseve nga pasojat e ndarjes, me mbështetësit e këtij opsioni që deklaruan se është vetëm një orkestrim nga qeveria Britanike.

Zv.ministri i parë i Skocisë, Nicola Sturgeon deklaroi se: “Fushata pro ndarjes është kryer paralelisht me një vetëbesim në rritje të qytetarëve skocezë”.

“Ky moment është ende në rritje dhe së shpejti do të bëhet i pandalshëm, pasi njerëzit e refuzojnë orkestrimin e Londrës për ta mbajtur Skocinë të nënshtruar”, tha Sturgeon.

Ndërkohë, aktivistët e “Better Together” publikuan një sondazh të ri që sugjeron se 53.5 për qind e skocezëve kundërshtojnë pavarësinë, ndërsa 46.5 për qind e mbështesin atë.

Sondazhi i kryer përmes telefonit intervistoi 1.044 persona, 927 prej të cilëve dhanë një përgjigje konkrete. I kryer në datat 10 dhe 12 shtator, grupi menaxhues përdori një metodë ndryshe nga sondazhi i publikuar më herët gjatë javës.

“Ky sondazh tregon se votuesit “jo” udhëheqin, por gara është ende larg fundit”, deklaroi drejtuesi i fushatës, Blair McDougall.

Top Channel