“Shamikuqja” rrëfen jetën dhe karrierën

13/09/2014 00:00

Tyrkan Shoraj, një nga divat e kinamtografisë turke, e njohur edhe për publikun shqiptar me rolin e Shamikuqes, në filmin me të njëjtin titull, në një intevristë për Top Channel tregon historinë e jetës dhe karrierës së saj.

Shoraj ishte pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku u nderua me Cmimin e Karrieres. Me të bisedoi gazetarja Ornela Islami.

Keni filluar aktrimin në moshë fare të re. Si nisi karriera juaj, si ju zbuluan?

Turkan Soray: Isha në moshën 14-15 vjecare, nxënëse e shkollës së mesme. Jam rritur në një familje të mbyllur, fanatike. As në kinema nuk kisha shkuar. Një ditë në shtëpinë ku rrinim me qera, e bija e të zotit të shtëpisë po xhironte një film, një zonjë shumë e famshme, më coi dhe mua në sheshin e xhirimit. Unë isha me veshjen e shkolles, me flokët e thurura gërshet. Unë nuk e kisha idenë sesi xhirohej. Prodhuesit e filmave më panë, iu tërhoqa vëmendjen. Isha një vajzë e re, natyrale, pa makjazh, me sy dhe vetulla të zeza. Kërkonin një vajzë të re të tillë për një rol. Ditën tjetër trokitën në derën e shtëpisë time. Nënës sime i thanë që ‘vajzën tuaj e pëlqyen shumë dhe erdhëm t’i bëjmë një propozim për një film’. Nëna ime pati shumë dyshime, hezitoi shumë. Në këtë mënyrë fillova jetën time të filmit, por në të njëjtën kohë braktisa shkollën. Ky ishte fillimi.

Keni arritur të xhironi edhe 12 filma në vit. Si ia keni dalë?

Turkan Soray: Në ato vite i vetmi argëtim i Turqisë ishte kinemaja. Mund të regjistroheshin edhe 200 filma në vit. Ishin disa aktorë që populli i donte shumë dhe njerëzit e filmave arritën në një pikë të caktuar falë dashurisë së shikuesve. Duke qenë se shikuesit na deshën, prodhuesit e filmave vazhdimisht kërkonin filma prej nesh. Prandaj vinin kaq shumë propozime, një vit të tërë pa ndaluar, vetëm xhironim. 12 muaj, 12 filma.

Përpos mbi 200 roleve, ju keni qenë dhe prapa kamerave, apo jo?

Turkan Soray: Kam bërë dhe regjisoren. Kam katër filma të mitë, por profesioni im i vërtetë mbetet aktrimi. Së shpejti një film i imi do të dalë, ndërsa në dy filma të tjerë do të jem protagoniste. Do të jem aktore deri sa të vdes.

Cili është celësi i suksesit tuaj dhe cfarë do t’u sugjeronit të rinjve që duan të ndjekin aktrimin?

Turkan Soray: Nëse është sukses, celësi i suksesit është i vlefshëm për cdo profesion: disiplina, të punosh dhe atë punë që bëni ta dashuroni me zemër. Vetëm atëherë do të arrinit atë që doni.

Bukurisë suaj i janë dedikuar edhe këngë. Përpos punës e dedikimit, sic thatë, sa rëndësi ka patur dhe bukuria juaj?

Turkan Soray: Faleminderit! Unë jam një bukuri e cfarëdoshme, por më dhanë role të grave shumë të bukura. Në ato filma më kënduan edhe këngë.

Cfarë përshtypje ju la pritja e publikut shqiptar? E dinit se këtu jeni e njohur dhe e dashur prej kohësh?

Turkan Soray: Më duan mua këtu? Prej dy ditësh jam e habitur dhe e lumtur. Nuk e dija, e mësova këtu që filmi im është shfaqur para shumë vitesh, “Shamikuqja”. E them ciltërsisht, nuk e dija. Një surprizë e bukur. Më pritën që në aeroport kaq ngrohtë njerëzit këtu, me përqafime. Nuk më besuan sytë, njësoj si në Turqi dhe jam e lumturuar pa fund. I falenderoj me gjithë zemër të gjithë shqiptarët, të gjithë artëdashësit shqiptarë që më bënë të ndjej gjithë këto gjëra të bukura gjatë kohës që isha këtu.

Top Channel