“Luani Shqiptar” ne aksion

13/09/2014 00:00

Në disa zona të Shqipërisë po zhvillohet stërvitja “Luani Shqiptar 2014”, mes forcave ushtarake shqiptare dhe atyre britanike.

Kjo stërvitje, sipas ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, po zhvillohet në një kohë të brishtë për sigurinë tonë të përbashkët dhe në veçanti për kontinentin europian.

“Shqipëria ka dënuar prej fillimit agresivitetin e Federatës Ruse dhe dhe iu është bashkuar pozicionimeve të aleatëve tanë, duke përfshirë dhe sanksionet ndaj Rusisë”, ka thënë Kodheli. Ministrja ka theksuar se nga ana tjetër, rreziqet nga jugu janë duke u bërë çdo ditë e më shqetësuese.

“Të gjithë kemi parë me një shpejtësi marramendëse brutalitetin e ngjarjeve tragjike në Irak dhe Siri. Terrorizmi dhe fondamentalizimi, të cilat kanë ekzistuar, po kapërcejnë cdo limit dhe po shkelmojnë cdo parim themelor dhe vlerë universale. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë”, ka thënë Kodheli.

Prandaj, ka shtuar ajo, Shqipëria mori vendimin për të vepruar shpejt dhe në koherencë me aleatët, për të mbështetur qeverinë e Irakut me armatim dhe municion.

“Kjo stërvitje po zhvillohet në disa rajone në vendin tonë si në Bizë, në Zall-Herr, në Kepin e Palit, Kucovë, Pashaliman dhe Porto Palermo, si dhe u mbështetën nga deti me katër anije ushtarake. Gjatë stërvitjes, baza setare e Kepit të Palit u shfrytëzua si bazë furnizimi logjistik, si dhe për largimin e trupave dhe automjeteve pjesëmarrëse në ‘Albanian Lion 2014’”, ka shtuar Kodheli.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta