Monika Shoshori Stafa – Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka pasur një episod që historiografia shqiptare e ka rrethuar me heshtje. Në periudhën shtator-tetor 1943, ndërsa ushtria fashiste italiane kishte deklaruar kapitullimin dhe ushtria naziste po i zinte vendin, duke e trajtuar si dezertore, popullata shqiptare strehoi të dorëzuarit, rreth 20 mijë ushtarë italianë.
Por, krahas kësaj ndodhën dhe ngjarje që shkonin kundër konventave ndërkombëtare të aleancës antifashiste për robërit e luftës. Dy organizatat politike të kohës, formacionet ushtarake të tyre, sulmuan instalimet fashiste në Gërhot për të grabitur armatimet dhe rezervat materiale të tyre. Por episodi më i rëndë është pushkatimi i 121 karabinierëve italianë në malësitë e Elbasanit, pasi u plaçkitën dhe u zhveshën në konspiracion të plotë, me dijeninë e krerëve më të lartë të ushtrisë partizane (E.Hoxha, M.Shehu, K.Hoxha, T.Jakova), si dhe të të dërguarve jugosllavë (D.Mugosha). Një dokumentacion autentik dhe i pabotuar kurrë ndonjëherë provon se si ata u pushkatuan, pasi e kishin zhveshur uniformën dhe se si gjatë më shumë se 60 vjetëve janë bërë përpjekje për të gjetur vendvarrimin e tyre, pa ndonjë sukses deri më sot, për shkak të kompleksit të fajit, manipulimeve dhe fshehjes së fakteve dhe sidomos të mosmarrjes së përgjegjësisë historike. Nga këto dokumente bëhet e ditur gjithashtu pse E.Hoxha ia fshehu këtë përgjegjësi edhe në vitin 1981 “poliagjentit” M.Shehu, megjithëse rëndonin mbi të edhe shumë akuza të paqena. Ish-kryeministrit iu përmendën të gjitha krimet e tij ndaj popullsisë së pambrojtur, por jo dhe fati i 121 karabinierëve të vrarë në Çermenikë, sepse ky fakt jo vetëm nuk pajtohej me konventat e aleancës antifashiste, por gjithashtu penalizonin komanduesit e ushtrisë partizane. Problemi pritet të shihet kryesisht në aspektin human, që këta njerëz, pavarësisht prej përgjegjësisë historike që mbajnë, duke qenë të likuiduar, duke qenë robër lufte, duke kërkuar mbrojtje prej ushtrisë partizane që të mos binin në duar të ushtrisë naziste, meritojnë t’u dihet vendi i varrimit, si pjesë e kujtesës së përgjithshme njerëzore dhe si shprehje e tejkalimit të frymës së “luftës së ftohtë”. Ky është minimumi që mund të bëhet ndaj tyre. Deri në çastin kur disa specialistë italianë të historisë bashkëkohore, përmes ambasadës italiane në Tiranë, paraqitën një kërkesë për të gjetur dokumente që mund të orientonin kërkimin dhe identifikimin e vendvarrimit të 121 karabinierëve të komanduar nga kol. Xhuglio Gamuçi, komandant i karabinierisë fashiste në Shqipëri, pushkatuar në tetor të vitit 1943 nga Brigada e Parë, në tekstet e historisë së Shqipërisë, qofshin shkollore, qofshin akademike, nuk kishte asnjë të dhënë për këtë fakt. Flitej vetëm për atë pjesë të ushtrisë fashiste që, pas kapitullimit, u bashkua me lëvizjen antifashiste; dhe kalimthi për strehimin në popull të rreth 20 mijë ushtarëve e oficerëve që nuk donin të luftonin. Gjendja e dijes për këtë temë s’ka ndryshuar ende. Edhe në disa studime monografike të autorëve italianë, si “Italiani in Albania” të profesoreshës Antonela Erkolani nuk është vërejtur ndonjë e dhënë. Por në shtypin shkencor dhe politik italian ishin botuar herë pas here artikuj me karakter hetimor rreth kësaj ngjarjeje, duke filluar menjëherë pas luftës, në vitet 1960 dhe sidomos pas vitit 1990. Në procesin e përgatitjes së dokumentarit “Fati i mbrojtur i një ushtrie të mundur”, për realizimin e të cilit u kërkua bashkëpunim edhe me palën italiane, duke këmbyer fillimisht burimet, u vërejt se pala italiane kishte më shumë dëshmi të mbijetuarish dhe raporte misionarësh. Ndërsa në burimet shqiptare kishte dy kategori të dhënash parësore: 1. Letërkëmbimi i kohës së luftës, i kohës së ngjarjes, një koleksion letrash të M.Shehut, T.Jakovës, K.Hoxhës, Xh.Staraveckës, R.Çitakut; letra informuese dhe shpjeguese drejtuar njëri-tjetrit dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në këto letra del se ngjarja ka ndodhur më 21 tetor 1943. Ka shifra kontradiktore për numrin e të viktimizuarve, po ashtu dhe shpjegime kontradiktore. Shifra më e besueshme del 120, nga të cilët ndoshta 10 ishin oficerë, kurse kol. Gamuçi kishte qenë komandant i karabinierisë në Tiranë. Siç del nga letrat, këta kanë qenë pjesë e një numri të madh ushtarësh e oficerësh italianë, rreth 2000, që ishin kapur robër nga ushtria naziste dhe ajo, duke i trajtuar si dezertorë, i nisi për në fushë-përqendrimin e paracaktuar në Bullgari. Atje, atyre që do të pranonin të bashkoheshin me armatën e Reich-ut, do t’u falej jeta, kurse pjesa tjetër do të dënohej me pushkatim si dezertore. Në intervalin midis 16 dhe 20 tetorit, Brigada e Parë sulmoi afër Qukësit kolonën naziste dhe mundi të shpëtojë një pjesë të ushtarëve dhe oficerëve fashistë të kapur robër. Pasi mbaroi beteja, karabinierët dhe oficerët e tyre u ndanë më vete, u çarmatosën dhe u nisën drejt Çermenikës. Atje komanda e Brigadës vendosi për pushkatimin e tyre. Me këtë detyrë u ngarkua Xhelal Staravecka, komandant batalioni, bashkë me njësitin që komandonte. Pushkatimi u bë në tri gropa në afërsi të Gurit të Muzhaqit, një orë larg vendit ku ishte ngritur fushimi i Brigadës dhe afro dy orë larg fshatit më të afërt, Zdrajsh. 120 karabinierët u pushkatuan pasi iu morën armët, veshjet, rezervat ushqimore dhe në armatim. Pushkatimi u bë natën. Trupat e të pushkatuarve u mbuluan aty ku ranë, në gropat natyrore, me pak dhé. Në vitet e periudhës menjëherë pas luftës, një gjykatë italiane fajësoi formalisht një shqiptar, duke e akuzuar për pjesëmarrje në këtë krim, me qëllim që të qetësoheshin shpirtrat e familjarëve dhe të afërme. Po në ato vite, ish-komandanti i batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese, Xhelal Staravacka, ndodhej në Itali në kampet e mërgimtarëve politikë dhe nuk pati asnjë akuzë ndaj atij vetë. Në vitin 1961, kur misioni i parë ushtarak italian u interesua për t’i gjetur trupat e tyre, doli se gropat ishin zbuluar prej reshjeve të dimrit dhe kishin mbetur shumë pak mundësi identifikimi. Pasi ishin gjetur dokumentet e kohës së luftës, ku provohej se koloneli Gamuçi dhe 130-150 karabinierë italianë ishin pushkatuar nga ushtria partizane në vjeshtë të vitit 1943 (me urdhër të M.Shehut, me dijeninë e T. Jakovës, R. Çitakut, K. Hoxhës, ndoshta dhe të D.Mugoshës, M.Popovicit dhe sigurisht të Xh.Staraveckës), u kalua në një fazë të dytë, në kërkimin e dokumenteve që mund të provonin kërkime të misioneve italiane apo shqiptare për gjetjen dhe zhvarrimin e tyre ose, tek e fundja, që mund të ndihmonin për gjetjen e vendit të varrimit të tyre. Dokumentet e kohës së luftës u gjetën në AQSH.
Ngjarja është rrethuar me mister. Në përfundim të luftës në Itali është zhvilluar një gjyq formal dhe një shtetas shqiptar është dënuar në mungesë. Xhelal Staravecka, që në atë kohë ndodhej në kampet e mërgimtarëve, u gjend nën akuzë dhe në kushte të tilla shkroi e shpërndau disa trakte, në njërin prej të cilëve shprehet tekstualisht se “edhe në i vramë, mirë ua bëmë, sepse morën hakun e djemve të popullit shqiptar”. Por Staravecka, megjithatë, nuk e njeh veten për fajtor, sepse urdhrin e dha M.Shehu dhe për urdhrin kishin dhënë pëlqimin edhe E.Hoxha e D.Mugosha.
Sipas dokumenteve pushkatimi u bë natën, pasi karabinierët u çarmatosën dhe u zhveshën krejtësisht. Edhe varrimi u bë natën, në dy gropa natyrore (“hurdha”) dhe u mbuluan fare pak. Asnjëherë ky veprim nuk u dënua, megjithëse midis atyre që urdhëruan ose u pajtuan me një urdhër viktimizimi kishte dhe komandantë që kishin përfaqësuar ose përfaqësuan më vonë lëvizjen antifashiste në shtabin e aleancës në Bari e në Romë.
E çuditshme është pse E.Hoxha, megjithëse gjatë një gjysmëshekulli ka qortuar ashpër sektarizmin e M.Shehut, duke përfshirë edhe përgjegjësinë për moszbatim të marrëveshjeve të aleatëve për robërit e luftës, edhe në vitin 1982, kur shkroi “Tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të M.Shehut”, në të cilën janë shënjuar të gjitha episodet e dhunës sektare të tij, natyrisht duke shkarkuar mbi të edhe përgjegjësi të të tjerëve, nuk e përmendi kurrë këtë episod. Këta 120 apo dhe 130 karabinierë të pushkatuar në kushte robërie dhe të dorëzuar, me gjithë krimet që mund të kishin bërë, mund të meritonin një gjyq, qoftë dhe formal, ashtu sikurse meritojnë sot një memorial, sepse ndoshta nuk ishte faji i tyre që lufta i zuri në atë llogore dhe sidomos nuk kishte arsye për vrasjen makabre të tyre.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel