Adri Nurellari – Përshkallëzimi i konfliktit të Ukrainës mbush akoma faqet e para të të gjitha mediave dhe ishte në qendër të vëmendjes të Samitit të sapopërfunduar të NATO-s.
Mes shumë pikëpyetjesh që ka ngritur kjo krizë aktualisht, mund të gjenden edhe disa leksione që mund të nxirren nga shqiptarët. Kuptohet që ngjashmëria mes problemeve të Ukrainës me fqinjët dhe të Shqipërisë me fqinjët është e kufizuar për shumë faktorë, megjithatë ka disa elemente të veçanta që mund të shërbejnë si mësime nga pësimet ukrainase.
Ashtu sikurse marrëdhënia jonë me fqinjët, armiqësia ruso-ukrainase në fakt e ka një të kaluar historike. Me shembjen e perandorisë cariste, ukrainasit kanë ndërmarrë hapa për pavarësi prej Shën Petërsburgut dhe u aleancua me rusët e bardhë kundër bolshevikëve. Këto përpjekje u shkelën në mënyrë të dhunshme prej Ushtrisë së Kuqe gjatë viteve 1917-1921 dhe kjo është arsyeja pse prej fillimit të Bashkimit Sovjetik, ukrainasit shiheshin me dyshim nga rusët. Kjo urrejtje arriti kulmin gjatë zisë së bukës së viteve 1932-’33, gjatë së cilës kanë vdekur pothuaj 10 milionë ukrainas. Shteti i Ukrainës e konsideron atë zi si gjenocid të planifikuar kundër ukrainasve ngjashëm me Holokaustin dhe e njeh me emrin Holomodor (shfarosje nëpërmjet urisë). Kjo armiqësi u manifestua edhe gjatë pushtimit nazist të BRSS, kur kolaboracionizmi me nazistët ishte masiv sidomos në pjesën perëndimore të Ukrainës.
Gjatë gjithë tranzicionit postkomunist, Ukraina ka pasur përplasje të vazhdueshme me Rusinë lidhur me furnizimin me gaz, si dhe transitin e gazit nëpërmjet tubave që kalojnë në territorin ukrainas. Këtu mund të nxirret leksioni i parë i pavarësimit ekonomik, sidomos kur vjen fjala për infrastrukturën dhe energjetikën. Një ndër arsyet pse Rusia e ka pasur të lehtë të shantazhojë e tanimë ta gjunjëzojë Ukrainën, është epërsia ekonomike dhe varësia energjetike. Faktikisht ka ngjashmëri të varësisë energjetike të Shqipërisë prej Greqisë në periudhat e nevojave të mëdha për rrymë elektrike disa vite më parë, përderisa, asokohe, ashtu sikurse gazsjellësi i Ukrainës, linjat e tensionit të lartë që mund të përmbushnin kërkesën e Shqipërisë vinin nga Greqia. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Podgoricën, si dhe i hidrocentraleve të reja, ishte zgjidhja që ka lehtësuar situatën. Ngjashëm në Kosovë vlen si leksion që sa më shpejt të ndërtohet linja e interkonjeksionit me Shqipërinë, si dhe termocentrali Kosova C. Prandaj, përveç lidhjes infrastrukturore sa më efikase me sa më shumë shtete për të shmangur varësinë, duhet që ekonomitë tona të përqendrohen sa më shumë në prodhime vendase që zëvendësojnë importet.
Po ashtu, hapja ekonomike dhe tërheqja e kompanive perëndimore është thelbësore për të mbajtur të gjallë interesin e shteteve të fuqishme ndaj dy shteteve me shumicë shqiptare. Përveç largësisë gjeografike dhe shmangia e ballafaqimit me Rusinë, një ndër arsyet pse Ukraina dhe Gjeorgjia janë braktisur deri diku nga Perëndimi dhe është toleruar cenimi i sovranitetit të tyre është mungesa e interesave ekonomikë. Shumica e privatizimeve në këto vende janë bërë nga oligarkë të kalbur e të korruptuar vendas dhe kompanitë e huaja që kanë ndikimin në politikën ndërkombëtare në këto vende nuk kanë qenë aq të shumta sa ndërvarësia ekonomike të shkaktonte edhe ndërvarësi gjeopolitike. Ky implikim strategjik duhet marrë parasysh në të ardhmen kur jepen licenca, bëhen privatizime apo thithen investitorë të mëdhenj, pra duhen favorizuar kompanitë e mëdha perëndimore, në mënyrë që problemet tona politike të jenë sa më të lidhura me interesat e këtyre vendeve.
Leksioni kryesor që tërë bota ka marrë nga kjo krizë lidhet me ringjalljen e realizmit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht nga konsolidimi aktual i teorisë liberale duket qartë se bota ka ende vend për të marrë në konsideratë realizmin. Internacionalizmi liberal mbështetet në bindjen se të gjitha shtetet kanë interesa harmonike të ndërsjella, përfitojnë nga bashkëpunimi e mirëkuptimi ndërkombëtar dhe mund të arrijnë siguri kolektive nëpërmjet organizatave ndërshtetërore dhe të drejtës ndërkombëtare. Veprimet e Rusisë po lënë të kuptohet se marrëdhëniet ndërkombëtare janë ende të diktuara nga realizmi, e cila është një teori që shpërfill rolin e bashkëpunimit dhe konsideron shtetet si aktorët kryesorë në arenën ndërkombëtare që kujdesen vetëm për interesat e tyre shtetërore. Me këtë qasje, marrëdhëniet ndërkombëtare janë në mënyrë konstante në konflikt dhe përbëhen nga një garë mes shtetesh për të siguruar dhe shtuar fuqinë e pushtetin përkundrejt shteteve të tjera.
Sjellja e Putinit mund të shpjegohet sot veç me konceptin realist të mendimtarit të shquar të realizmit Morgenthau të quajtur ‘animus dominandi’, që konsiston në instinktin e natyrshëm për të dominuar dhe dëshirën e papërmbajtshëm për të pasur sa më shumë pushtet. Për t’u kthyer tek Ukraina, sot mund të thuhet që, nëse ky vend nuk do të ishte çarmatosur prej armëve bërthamore në vitin 1993, padyshim që sot Rusia s’do të kishte pasur kurajën të aneksonte Krimenë dhe të ndizte flakën në Ukrainën Lindore, po ashtu sikurse askujt prej fqinjëve nuk ia mban që të trazojë Korenë e Veriut.
Kjo do të thotë që për çdo shtet në përgjithësi, por për ato me probleme të hapura me fqinjët në veçanti, si Shqipëria apo Kosova, perspektiva e zgjerimit, forcimit dhe modernizimit të instrumenteve të sigurisë e mbrojtjes duhet të shkojë krah për krah me përmirësimin e pozicionit dhe shtimin e përfshirjes në institucione ndërkombëtare. Konkretisht del si mësim për Shqipërinë që t’i kushtojë më shumë vëmendje e burime këtyre instrumenteve të sigurisë, duke pasur parasysh trazirat rajonale, si dhe ato të brendshme në të kaluarën (1991, 1997). Ndërsa për Kosovën, që të ketë një lloj kompromisi të palëkundur ndërpartiak, që të formohen sa më shpejt Forcat e Armatosura të Kosovës, si dhe të punohet me maksimumin e energjive në ato reforma politike apo teknike për të mundësuar një anëtarësi sa më të shpejtë në NATO.
Një tjetër mësim lidhet me rivendosjen në qendër të vëmendjes së rëndësisë dhe dobisë së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë jo vetëm në formën e mirënjohjes së përjetshme për atë që kanë bërë shqiptarët për amerikanët gjatë presidencave të Wilson, Clinton dhe Bush, por edhe sepse kjo aleancë është arritja më e madhe dhe më frytdhënëse për të ardhmen e popullit tonë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo do të thotë jo vetëm çimentim të partneritetit transatlantik, por edhe eliminimin e tendencave devijuese që po shfaqen hera-herës mes shqiptarëve e që kërcënojnë këtë marrëdhënie. Këtu bëhet fjalë nga njëra anë për vazhdimin e angazhimit të ndërmarrë për konsolidimin e vlerave të promovuara nga SHBA-ja si liri, demokraci, ekonomi tregu dhe fqinjësi të mirë. Hera-herës, manifestimi i retorikës anakronike artificiale antiimperialiste, që synon të damkosë aleatët që kanë shpëtuar Kosovën si një formë kolonializmi. Nga ana tjetër, një orientim në marrëdhëniet ndërkombëtare që i japin fund çdo lloj manifestimi simpatie me ide ekstremiste. Flirtimi me këto qarqe fondamentaliste islame u pa haptazi gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Prandaj, lidhja jonë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë duhet rifreskuar gjithmonë jo vetëm duke dëshmuar besnikëri në orientimin tonë drejt vlerave universale, por edhe duke shmangur gabime sikurse ishte pranim-refuzimi i shkatërrimit të armëve kimike.
Një tjetër implikim që shkakton kriza në Ukrainë është edhe thellimi i ndarjes brenda Këshillit të Sigurimit në OKB, çka lë të mendosh që anëtarësimi i Kosovës në OKB ka për t’u vonuar.
Barrikadimi i ndarjes Lindje-Perëndim pas veprimeve të fundit të Rusisë do të vonojë dhe dëmtojë njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe kështu që opinioni publik duhet të përgatitet moralisht për vonesa. Kjo do të thotë që ne duhet të përgatitemi për një dimër të gjatë lidhur me njohjen në arenën ndërkombëtare dhe energjitë duhen përqendruar në integrimin europian dhe NATO, në thellimin e marrëdhënieve alternative multilaterale duke u anëtarësuar në të tjera organizata ndërshtetërore, si dhe në zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve me vendet që tashmë e njohin Kosovën.
Së fundmi, një tjetër mësim që vjen nga Ukraina, lidhet me nevojën primare për të konsoliduar shtetin dhe eliminuar dobësitë e brendshme, në kushtet kur pozita rajonale apo ndërkombëtare e shtetit është e palakmueshme. Në këtë rast mund të thuhet për një domosdoshmëri për t’i dhënë fund ngërçit aktual politik që po rrezikon interesat e vendit për hir të interesave personale dhe po kërcënon forcimin e shtetit të Kosovës për hir të përplasjeve, të hatërmbetjeve e egove të liderëve që e kanë të vështirë të kapërdijnë humbjen e shkaktuar nga një garë e ndershme zgjedhore. Në periudhën paszgjedhore në Kosovë është shfaqur një ambicie e pakufizuar, që ka shtyrë aktorë të ndryshëm politikë që të nëpërkëmbin Kushtetutën e madje edhe kërcënojnë institucionet kryesore të vendit. Po ashtu, në Shqipëri, reforma radikale e sistemit të drejtësisë dhe vendosja e rendit publik dhe sundimit të ligjit duhet të bëhet një detyrë primare kombëtare për ta forcuar shtetin dhe për ta bërë sa më të lehtë për këtë vend ballafaqimin me çfarëdo sfide ndërkombëtare.
Top Channel