Ishte planifikuar në qershor, anulohet koncerti i Kanye West në Poloni
Festivali ndërkombëtar i Filmit, në Durrës, ngriti siparin e tij me një ceremoni mbresëlënëse në Amfiteatrin Antik të këtij qyteti.
Në një skenë madhështore, që ndërthur magjinë e ekranit të madh me arenën e lashtë të gladiatorëve, Festivali ndërkombëtar i Filmit priti dhe aktoren, regjisoren e shkrimtaren turke, Turkan Soraj, së cilës iu dorëzua dhe trofeu i parë i këtij edicioni, “Gladiatori i Artë i Karrierës”.
Ceremonia u çel nga aktori Timo Flloko, ndërkohë që ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro theksoi se festivali, që ndërthur artin e kinemasë me trashëgiminë kulturore, është një vlerë e shtuar për të gjithë shqiptarët, e jo vetëm për qytetarët e Durrësit.
“Si ministrja e Kulturës, jo vetëm kulturës së gjallë por edhe e trashëgimisë kulturore, shoh me kënaqësi që arenat e trashëgimisë kulturore, që trashëgohen në shekuj, janë për skena të artit bashkëkohor. E theksoj këtë moment, sepse trashëgimia kulturore nuk është një natyrë e qetë, të cilën duhet ta sodisim nga lart, por është një pasuri, të cilën duhet ta mbrojmë edhe duke jetuar, edhe duke i dhënë sot asaj frymëmarrje”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.
Në ceremoni përshëndeti edhe ambasadori turk, Idajet Bajraktaraj, në kuadër të ditëve të kinemasë turke, e cila feston 100-vjetorin e saj.
Aktorja ende sharmante, Turken Soraj, falënderoi për mikëpritjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për arritjet e saj kinematografike, duke ia lënë vendin shfaqjes së filmit “Shamikuqja”, në pelikul të restauruar.
Shumë spektatorë, përfshirë edhe protagonisten, nuk i kanë shpëtuar nostalgjisë, ndërkohë që Amfiteatri do të jetë arena, ku “Gladiatorët” do të presin të rrëmbehen nga artistët më të mirë të këtij edicioni të shtatë të festivalit.
Top Channel