SHBA urojnë qeverinë e re irakene

09/09/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur njoftimin për aprovimin e qeverisë së re të Irakut, teksa bëhen gati të organizojnë një koalicion ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik.

Vetë presidenti Barack Obama uroi zotin Haider al Abadi përmes telefonit ditën e hënë. Ai vlerësoi faktin se kryeministri i ri ka shprehur zotimin e tij për të punuar me të gjitha komunitetet në Irak, si dhe me partnerët rajonalë e ndërkombëtare, për të forcuar bashkëpunimin kundër IS-it.

Presidenti amerikan disa herë e ka përjashtuar mundësinë që SHBA të kryejnë operacione tokësore ndaj grupit terrorist në Irak, por ka mbështetur sulmet ajrore.

Edhe sekretari i Shtetit, John Kerry deklaroi se Amerika do të qëndrojë përkrah irakenëve në luftën kundër grupit terrorist, që ka marrë nën kontroll zona të gjera të vendit.

Parlamenti iraken aprovoi më herët qeverinë e re, në të cilën janë përfshirë arabë sunitë dhe kurdë. Kryeministrit Haider al Abadi, një shiit i moderuar, iu kërkua formimi i qeverisë që në gusht, pas dorëheqjes së Nouri al Malikit.

Ai zgjodhi sunitin Saleh al Mutlak dhe kurdin Hoshyar Zebari si zëvendëskryeministra dhe u zotua për caktimin e ministrit të Brendshëm dhe atij të Mbrojtjes brenda një jave.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht thirrje që qeveria irakene të bëjë më shumë kundër padrejtësive ndaj miloritetit sunit dhe që ta bindë atë të bashkohet në përpjekjet kundër Shtetit Islamik.

Top Channel