Në pritje të guvernatorit të ri

09/09/2014 00:00

Arben Malaj, ekspert i ekonomisë ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ku foli për zhvillimet më të fundit në Bankën e Shqipërisë. Zoti Malaj ka kërkuar që diskutimet për zgjedhjen e guvernatorit të ri të bëhen nga ekspertë të fushës.

Zoti Malaj shtoi se ajo që ndodhi në Bankën e Shqipërisë ka hyrë në një fazë që kërkon një zgjidhje më tepër juridike. Ndërsa e ardhmja e bankës, sipas Malaj ka të bëjë: me kthimin e kredibilitet, me përmirësimet ligjore, gjithashtu edhe me plotësimin në kohë të drejtuesve dhe anëtarëve të saj.

Pandi Gjata: A është duke e ndihmuar politika zgjedhjen e guvernatorit të ri pas ngjarjeve të fundit?

Arben Malaj:
Një nga detyrat kryesore që ka Banka Qendrore në çdo vend të botës është të ruaj stabilitetin e sistemit. Politika e ndjek nga afër çdo zhvillim që ndodh në Bankën Qendrore, pasi çdo zhvillim është shumë i rëndësishëm. Përgjegjshmëria për ta menaxhuar kthimin e kredibilitetit të institucionit sigurisht që kalon edhe nëpërmjet politikës. Ndoshta takimet e bëra gjatë dy ditëve të fundit janë të nevojshme dhe kanë një objektiv kryesor, në mënyrë që sistemi financiar të jetë sa më pak i ndikuar nga ato që kanë ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Ndoshta ka pasur më shumë publicitet se në rastet e tjera. Disa takime mund të jenë edhe takime liderësh politik që nuk kanë nevojë te mediatizohen deri në këtë pikë.

Pandi Gjata: Por Arrestimi i zotit Fullani ishte i rëndësishëm për median dhe opinionin e gjerë publik dhe ky proces, i cili e shoqëroi si ngjarje, e merr këtë rëndësie.

Arben Malaj: Natyrshëm, por ajo që presin më shumë shqiptarët është që liderët tanë të takohen më shumë për krizën politike, e cila jep një ndikim më të madh për zhvillimet ekonomike dhe sociale. Doja të thosha që ajo që është bërë deri tani është e mjaftueshme, ndoshta e mediatizuar pak më shumë se çduhet.

Pandi Gjata: A duhen ndryshime ligjore në funksion të drejtimit të Bankës së Shqipërisë apo në drejtime të tjera?

Arben Malaj: Pas ngjarjeve të fundit në bankë, të cilat nuk janë të dëshirueshme për asnjë. Ajo që ndodhi ka hyrë në një fazë që kërkon një zgjidhje më tepër juridike, ndërsa në lidhje me të ardhmen, e cila ka të bëjë: me kthimin e kredibilitet, me përmirësimet ligjore, gjithashtu në institucione të tilla një nga aspektet e kontrollit parlamentar është plotësimi në kohë i drejtuesve dhe anëtarëve . A duhet të ndryshojë ligji? Duhet të kemi parasysh që ndryshimet kushtetuese janë që nga niveli kushtetues. Jo në çdo vend është praktikë që Banka Qendrore të jetë pjesë e Kushtetutës, por në vende të tilla si Shqipëria, kur ajo është pjesë e Kushtetutës është një element për të cilin ekspertët kanë diskutuar. Si emërohet guvernatori dhe sa mandate duhet të ketë ai? Në momentin që ne kemi bërë kushtetutën e parë ne nuk e kemi limituar, jo më shumë se dy mandate të një pas njëshme.

Pandi Gjata: Më shumë prioritet në këtë situatë ka zgjedhja e guvernatorit apo ndryshimet ligjore?

Arben Malaj: Në rastet kur nuk është guvernatori, drejtimi i bankës i kalon zëvendësguvernatorit. Ka një dilemë, duhet të bëjmë ligjet apo plotësimet? Në qoftë se në kuadrin ligjor qeveria është duke u konsoliduar me Bankën Botërore, me FMN, nëse drafti i ndryshimeve është gati mund të përputhen në kohë. Ajo që është pozitive është që nuk ndodhemi në një situatë alarmi, pasi nuk ka impakte negative që ne t’i ndjejmë në sektorin financiar.  

Pandi Gjata: A e ka në dorë Presidenti i Republikës zgjedhjen e guvernatorit të ri?

Arben Malaj: Në rastin e Kushtetutës ne kishim miratuar që guvernatori zgjidhej me propozim të kryeministrit. Në vitin 2002 është bërë një ndryshim ligjor që guvernatori propozohet nga presidenti dhe miratohet nga parlamenti. Ky ligj gjendet në Bankat Qendrore të shumë vendeve. Problemi qëndron te kultura e negocimit. liderët politikë duhet të negociojnë. Presidenti ka iniciativën për ta propozuar guvernatorin pasi të jenë zgjedhur anëtarët e bordit. Nuk ka një krizë kushtetuese për ta zgjedhur guvernatorin e BSH.

Pandi Gjata: Ka një ide të orëve të fundit për të patur një guvernator të huaj, por ligji e ndalon apo jo këtë?

Arben Malaj: E para unë mendoj që ne duhet të kemi respekt. Shqipëria ka ekspertë shumë të mirë. Ne duhet të krijojmë klasën tonë të menaxherëve dhe nuk besoj që kredibiliteti i bankës do të ndryshojë me ardhjen e një te huaji. Kredibiliteti i saj vjen me respektimin e pavarësisë ligjore, sa anëtarët e bordit do të përmirësojnë cilësinë e kuadrit ligjor, por edhe mbikëqyrës të bankave që kredia e keqe të ulet. Nuk do ta quaja të pranueshëm këtë diskutim. Nesër mund të kemi një problem me presidentin, më pas me kryeministrin apo edhe me drejtues të tjerë. Një vend zhvillohet duke krijuar kapacitetet e tij deri në nivelet më të larta.

Pandi Gjata: Kur flasim për zgjedhjen e guvernatorit, a duhet t’i paraprijë një proces me debat për kriteret apo për të patur edhe një konsensus edhe më të gjerë?

Arben Malaj: Ajo që konstatohet edhe në vendet e tjera është që këtë debat e bëjnë ekspertët e fushës përkatëse dhe liderët politik nuk ndërhynë në këtë proces. Qeveria propozon anëtarët e saj dhe ka 3, parlamenti ka 5 edhe presidenti ka të drejtën e tij për propozimin e guvernatorit. Kur bëhet ky diskutim politika rri larg.

Pandi Gjata: Sa ndikon profili i një guvernatori në sjelljen e sistemit financiar apo të politikave monetare?

Arben Malaj: Në shumë vende europiane, të cilat ishin në krizë, ndryshimet kryesore ndodhën te guvernatorët e Bankës Qendrore. Në një pjesë të vendeve, ku guvernatorët kishin fituar respektin publik, si njerëz që kishin bërë reforma të rëndësishme për vendin e tyre, morën përsipër deri edhe drejtimin e qeverive të këtyre vendeve. Pra është një pozicion që ka një vëmendje publike dhe qeveritë në vende të ndryshme e përdorin kredibilitetin publik të guvernatorit për të qetësuar tregjet.

Pandi Gjata: Si e shpjegoni faktin që në këtë histori 23 vjeçare në hierarkinë më të lartë të pushtetit në Shqipëri mbas hekurave kemi një ish-guvernator dhe drejtues të bankave, më shumë se politikanë nëse do të hiqnim një paralele?  

Arben Malaj: Është një nga sektorët delikatë dhe jo vetëm në Shqipëri. Ky sektor është në qendër të vëmendjes publike dhe impakti që krijon në ekonomi është i ndjeshëm, më shumë kur ndodh me guvernatorin sesa me një anëtar qeverie. Kjo është e lidhur edhe me kulturën demokratike, pasi i është dhënë pavarësi maksimale. Një grup teknokratësh që nuk janë përzgjedhur, nuk janë votuar, këta marrin një pushtet absolut dhe kjo bëhet për ta mbrojtur.

Pandi Gjata: Një ambicie personale? Meqenëse jemi në këtë proces apo po t’i referoheni deklaratës së kryeministrit, meqenëse vini nga politika jeni i përjashtuar.

Arben Malaj: Kryeministri është për rrugë të gjatë, kështu që i urojmë vizitë të suksesshme në Kinë. Nuk kam ndonjë ambicie për guvernator. Nëse do të më propozonin për anëtar bordi, do të mirëprisja, ndonëse jo, do ta mirëkuptoja. Ambiciet personale në një debat për një institucion të rëndësishëm janë gjëja e fundit.

Top Channel