Droni detar misterioz në Lefkada i mbushur me eksplozivë, autoritetet greke e ‘hedhin në erë’
Britania bëri të ditur këtë të martë se do të dërgojë armatime të rënda, si mitralozë dhe municione, në Irak, për të ndihmuar qeverinë e re në betejën e saj kundër militantëve të Shtetit Islamik, furnizimet e para këto nga Mbretëria e Bashkuar, që prej nisjes së konfliktit në Qershor.
Kryeministri britanik, David Cameron tha se nuk do të përjashtonte asgjë, në përpjekje për të detyruar militantët deri në mosekzistencë, por ka theksuar se Britania nuk do t’u bashkohet sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara përpara formimit të një qeverie të re irakene.
Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi për dërgimin e mitralozëve dhe municioneve me vlerë rreth 1,6 milionë paund (2,6 mln USD) me kërkesë të qeverisë së Irakut, dhe se armët do të përdoren nga forcat irakene dhe ato kurde të Irakut.
“Forcat kurde janë ndjeshëm më pak të armatosur se sa militantët e Shtetit Islamik, ndaj dhe po u përgjigjemi kërkesave për t’i ndihmuar ata të mbrojnë vetveten, të mbrojnë qytetarët e tjerë dhe të zmbrapsin avancimet e Shtetit Islamik”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë.
Iraku krijoi qeverinë e re gjatë së hënës, nënd drejtimin e kryeministrit Haider al-Abadi, duke ndarë pushtetin mes mazhorancës shiite arabe, sunitëve dhe kurdëve. Dërgesa britanike pritet të mbërrijë të mërkurën.
Cameron ka thënë disa herë se Britania ka marrë në konsideratë armatimin e forcave kurde. Ajo i bashkohet Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të cilat kanë rënë dakord prej kohësh për të dërguar armë.
Deri më sot, Britania ka zhvilluar vetëm furnizime humanitare nga ajri dhe misione vëzhguese, si dhe ka transportuar dërgesat ushtarake drejt forcave kurde të Irakut, të cilat janë në aleancë me qeverinë qendrore të Bagdadit.
Top Channel