BE miraton sanksionet e reja ndaj Rusisë

09/09/2014 00:00

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar formalisht sanksionet e reja ndaj Rusisë lidhur me krizën në Ukrainë.

Masat e reja përfshijnë kufizime ndaj kompanive më të mëdha shtetërore ruse të naftës që qarkullojnë paratë e tyre në tregjet financiare evropiane.

Megjithatë, këto masa do të hyjnë në fuqi në ditët e ardhshme dhe jo këtë të martë, sikurse pritej. Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy deklaroi se masat synojnë nxitjen e një ndryshimi të kursit të veprimeve të Rusisë, që destabilizon lindjen e Ukrainës.

Por blloku 28-anëtarësh është i pavendosur kur këto sanksione të hyjnë në fuqi, pasi duan t’i japin kohë implementimit të armëpushimit të arritur ditën e premte.

“Në vartësi të situatës në terren, BE është gati t’i rishikojë sanksionet në tërësi ose pjesërisht”, deklaroi Van Rompuy.

Diplomatët deklarojnë se paketa e re e masave do të godasë kompanitë ruse të naftës Rosneft dhe Transneft, si dhe atë që ka monopolin e gazit, Gazprom.

Aksesi i tyre në tregjet financiare do të kufizohet, një masë kjo që do të ketë pasoja për Rosneft, që muajin e kaluar i kërkoi qeverisë ruse një hua prej 42 miliardë dollarësh. Nga ana tjetër, kompania në fjalë është e prekur edhe nga sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Nga ana e saj, Moska ka paralajmëruar se do të bllokojë përdorimin e hapësirës së saj ajrore për fluturimet ndërkombëtare nëse Bashkimi Evropian vijon me sanksionet.

Kryeministri rus Dmitry Medvedev tha më herët se Moska do t’i përgjigjet në mënyrë “asimetrike” sanksioneve të reja. “Ndalimi i fluturimeve në hapësirën ajrore ruse mund të çojë shumë kompani ajrore drejt falimentimit”, tha ai.

Top Channel