Shqip: Gazetaria e angazhuar

08/09/2014 00:00

Gazetaria është një fushë ku një angazhim të fuqishëm kanë edhe gratë. Disa prej tyre bëjnë gazetari në terren duke vënë edhe jetën në rrezik, të tjera nga studiot televizive duke shprehur sensibilitetin e tyre. Për të folur më shumë për këto dy aspekte të të njëjtit profesion, në studion e emisionit “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga kanë qenë të ftuara gazetaret Rosemary Armao dhe Daria Bignardi.

Rosemary Armao është një gazetare investigative e mirëfilltë që punon për grupin OCCRP, me bazë në Bosnje. Ajo ka denoncuar shumë afera në vendet e Evropës jug-lindore, kryesisht për pastrimin e parave dhe evazionin fiskal dhe ka fituar çmimin “Daniel Pearl”, kushtuar gazetarit izraelit të vrarë nga terrorizmi.

Rudina Xhunga: Zonja Armao, mirëse erdhët në “Shqip”.

Rosemary Armao: Faleminderit, Rudina. Është kënaqësi.

Rudina Xhunga: Ju jeni një gazetare investigative që promovoni gazetarinë nëpër botë. Kur e bëni këtë, ju ndodh t’ju thonë ‘këtu s’është Amerikë’?

Rosemary Armao: Më ndodh gjithmonë, ma kanë thënë gazetarë boshnjakë, etj. Edhe shqetësimi i gazetarëve shqiptarë është normal, por kjo situatë mund të kalohet dhe të arrihet në një gazetari të mirë.

Rudina Xhunga: Cfarë ka për qëllim gazetaria investigative?

Rosemary Armao: Na shtyjnë shumë gjëra për ta bërë, ajo ka të bëjë me qeverinë, institucione të rëndësishme, etj dhe qëllimi është t’i vërë ata përpara llogarisë dhe përgjegjësisë. Gazetaria investigative konstaton gjëra që qeveritë dhe institucionet i mbajnë të fshehta.

Rudina Xhunga: Cili është mendimi juaj për kamerat e fshehta?

Rosemary Armao: Në disa raste duhen, por në disa të tjera gazetarët i përdorin më shumë se ç’duhet. Gazetari nuk mund të jetë mashtrues. Ato përdoren në rastet kur nuk mund të tregosh diçka në mënyra të tjera. Por duhet të ruhet edhe etika.

Rudina Xhunga: Çfarë metodash përdorët ju për kronikën që iu kurorëzoi me çmimin “Daniel Pearl”?

Rosemary Armao: Janë përdorur edhe kamera të fshehta, kemi parë gazetarë të guximshëm dhe kemi kontaktuar dikë që ndihmonte kompanitë të fshihnin paratë. Një pjesë e artikujve përfshinte shumë intervista ballë për ballë, por kishim edhe elementë ‘undercover’.

Rudina Xhunga: Si mund të frymëzohen gazetarët shqiptarë që të punojnë si kolegët e tyre?

Rosemary Armao: Jemi në fazën e të bërit diçkaje. Problemet që hasin gazetarët në Shqipëri janë të ngjashme me ato që hasin kolegët e tyre në Serbi, Maqedoni, Bullgari, etj. Ata duhet të bashkëpunojnë me ne dhe unë besoj se do të takoj disa prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Rudina Xhunga: Ka shumë vrasje në Shqipëri. Ato lidhen për të kaluarat kriminale të këtyre personave, por për të kaluarën e tyre nuk ka asnjë lajm, shkruhet vetëm për vrasjen. Cila do ishte këshilla juaj?

Rosemary Armao: Besoj se frika është një motiv. Aspekt tjetër është burimi, gazetari mund të mos ketë para për të ndjekur pistat. Çdo llojë vrasje duhet të mbulohet si një histori e madhe, duhet të mblidhen të gjitha pikat e informacionit diku. Nëse një person vritet për shkak të aktiviteteve të tij në vendet perëndimore, atje janë autoritetet lokale që mund të kontaktohen. Gjithashtu është mirë që gazetarët e vendeve të ndryshme të bashkëpunojnë.

Rudina Xhunga: Në lajmet tuaja, çfarë flitet më shumë për Shqipërinë?

Rosemary Armao: Për Shqipërinë flitet për mafian, varfërinë e skajshme dhe largimin nga vendi. Do më pyesni se çfarë thonë për amerikanët? Obeziteti dhe hamburgerët. Këto na i prishin imazhin neve.

Rudina Xhunga: Cili është problemi i imazhit tonë?

Rosemary Armao: Imazhi i Shqipërisë po ndryshon, ka një lloj shpirti të lirë sipërmarrës, biznese të mëdha, vendi po ecën mjaft shpejt nga ku ishte. Ky është imazhi që po sheh bota për Shqipërinë. Edhe vende të tjera të Europës lindore po e bëjnë këtë.

Rudina Xhunga: Rosemary, faleminderit që ishe me ne.

Rosemary Armao: Faleminderit juve.

Një punë paksa ndryshe, por jo më pak të rëndësishme bën gazetarja e njohur italiane Daria Bignardi, që mesazhet e saj ka zgjedhur t’i përcjellë përmes ekranit. Aktualisht ajo ndodhet në Shqipëri për të promovuar librin e fundit të saj.

Rudina Xhunga: Zonja Bignardi, mirëse erdhët në Shqipëri.

Daria Bignardi: Mirëmbrëma Rudina, kënaqësi.

Rudina Xhunga: Daria, anshmëria është diçka e dukshme tek ju, apo e keni vetëm si gazetare? Kam parasysh këtu faktin që ju nuk e pëlqeni shumë Silvio Berlusconin.

Daria Bignardi: Unë nuk jam e anshme, por në punën time bëj avokatin e diallit sepse e kam në natyrën time. Dua të bëj gjithmonë të kundërtën. Gjatë një interviste kisha një njeri të pakëndshëm përballë dhe e thumbova atë. Por në një program televiziv është e drejtë të jesh i paanshëm.

Rudina Xhunga: Si i shihni kategorizimet: gazetar i anshëm apo i paanshëm, gazetar burr apo gazetare grua?

Daria Bignardi: Rudina, ka vetëm një mënyrë për t’i bërë gjërat. Unë jam shumë kritike ndaj kategorizimeve. Në Itali duhet të mësojmë më tepër nga gazetaria anglo-saksone sepse është më e shkëputur nga politika. Atje nuk para ka paragjykime, ndërsa tek ne është ndryshe.

Rudina Xhunga: Çfarë mendoni kur një i ftuar ju ofendon?

Daria Bignardi: Kjo nuk më ka ndodhur thuajse kurrë. Gjëja më e keqe në punën tonë janë intervistat e mërzitshme, kur nuk thuhet asgjë dhe kur të ftuarit nuk flasin dot… Por më ka ndodhur edhe dy herë të ofendohem, kur kam pasur takime të ashpra me njerëz që do të intervistoja.

Rudina Xhunga: Një aspirante për gazetare më pyeti: si ja bëni ju dhe Daria për të tërhequr shikuesit?

Daria Bignardi: Janë bërë shumë vite punë dhe ndoshta publiku sot ka besim tek unë. Televizioni mbërrin në të gjitha shtëpitë dhe redaktorëve u them: atë që bëni duhet ta kuptoni! Të kuptoni një të moshuar, një adoleshent, apo një fëmijë. Gjithashtu dua që të kem shumë humanizëm brenda dhe që njerëzit që intervistoj të rrëfejnë gjëra që mua të më bëjnë kureshtare.

Rudina Xhunga: Si eci karriera juaj?

Daria Bignardi: Fillimisht punova për një gazetë, pastaj për një televizion dhe pastaj më kërkuan të prezantoja programe. Kam prezantuar “Tempi Moderni”, edicionin e parë të “Big Brother” e kështu me radhë. Por pas disa vitesh kuptova që nuk kisha më ç’të jepja dhe e lash Mediasetin për një televizion më të vogël si La7. Është më i vogël por më elitar.

Rudina Xhunga: Po për fëmijërinë tuaj ç’mund të na thoni?

Daria Bignardi: Unë vij nga Ferrara, një qytet emilian me kulturë, art, me rilindjen e tij. Kur isha e vogël sapo kthehesha nga shkolla vetëm lexoja. Vite më vonë shkova në Londër për të mësuar anglishten, kur u ktheva u punësova në një gazetë, por pasi ajo u mbyll shkova në një televizion.

Rudina Xhunga: Po për librat?

Daria Bignardi: Librin e fundit që kam shkruar e që po e promovoj në Shqipëri e kanë lexuar shumë njerëz dhe kjo është ajo që kërkoj. Për t’i bërë gjërat mirë duhet të angazhohesh shumë.

Rudina Xhunga: Cili është stili juaj?

Daria Bignardi: Unë jam shumë sentimentale kur shkruaj. Prandaj libri im i fundit është një libër romantik.

Rudina Xhunga: Ju keni miqësi edhe me Roberto Savianon…

Daria Bignardi: Roberto është një mik i mirë e i jashtëzakonshëm. Fola dje me të në telefon. Ai ndodhet në SHBA dhe më tha: “Tirana është e madhe”. Ai ka shumë simpati për Shqipërinë dhe shqiptarët, madje edhe për ty Rudina. Ai e shkroi librin kur ishte shumë i ri dhe u tregua shumë i guximshëm. Por tani thotë se po të kthehej mbrapa do të kishte vepruar ndryshe. Ai po vuan shumë dhe kushedi sa kohë do të duhet që të kthehet në jetë normale.

Rudina Xhunga: Daria, faleminderit që ishe në studion tonë.

Daria Bignardi: Faleminderit juve, ishte kënaqësi.

Top Channel