Arrest me burg për Ardian Fullanin

07/09/2014 00:00

Siç pritej, Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e dhënë të premten në mungesë të “arrestit me burg” për Ardian Fullanin, ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Elivar Golemin, inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë.

Të dy ish-funksionarët e lartë të Bankës së Shqipërisë u paraqitën të dielën në Gjykatën e shkallës së Parë në Tiranë për t’u njohur me masën e sigurisë. Automjeti policor doli rreth orës 11.00 të paradites nga godina e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për t’iu drejtuar godinës së gjykatës.

Guvernatori i prangosur u shoqërua nga forcat e policisë drejt sallës së gjyqit. Seanca për njohjen me masën e sigurisë për të u zhvillua e para dhe më pas ajo e zonjës Golemi.
 
Seanca gjyqësore, si për zotin Fullani dhe për zonjën Golemi pati vetëm për pak minuta prezencë të medias, për shkak se vetë prokurori i çështjes kërkoi që mediat të linin sallën.

Pasi i ka dëgjuar palët dhe pretendimet e tyre, gjyqtarja Blerina Muçi është tërhequr për të dhënë vendimin për dy të akuzuarit. Ajo dha vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Tiranës, atë të “arrestit me burg”, duke e cilësuar si të ligjshëm arrestimin e ish-guvernatorit dhe isnpektores së përgjitshme të Bankës.

Avokatët mbrojtës të dy të pandehureve thanë se do të apelojnë vendimin e kësaj shkalle në Apel duke deklaruar se hetimi për klientët e tyre duhet të kryhet në një masë sigurie më të butë për shkak se nuk kanë asnjë rrezikshmëri shoqërore.

Zoti Fullani pas dhënies së këtij vendimi la qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, për t’iu drejtuar dhomave të burgut 302, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë.

Top Channel