Ilir Kerni, në studion e Pasdite në TCH

05/09/2014 00:00

Në studion e Pasdite në Top Channel ka qenë i ftuar një nga personazhet më të dashur të artit shqiptar, ish-balerini i famshëm Ilir Kerni, i cili tashmë mban postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili ka dhënë një intervistë për prezantuesen e emisionit, Kozeta Turishta.

TCH: Përveç famës, që të gjithë ju njohin si balerini i apasionuar pas baletit, me një karrierë tepër të gjatë, tashmë Ju drejtoni edhe një prej institucioneve më të mëdha të artit shqiptar, siç është TKOB. Do të doja tju pyesja se kur ishte hera e parë që ju dëgjuat për baletin.

Ilir Kerni: Kjo është një periudhë rreth dhjetra viteve përpara, kur kam qenë 9 vjeç. Në atë kohë pedagogët e TKOB kërkonin elementë nëpër shkolla, gjë që ishte një praktikë shumë e mirë. Bënë audicione dhe që nga ajo kohë, e deri tani, fati im vazhdoi në këtë fushë.

TCH: Ishit në klasën e 4, kur dhe u zbulua talenti dhe pasioni juaj shpirtëror për baletin. Në fakt duhet të veçojmë për teleshikuesit tanë edhe një detaj: përpara se ju të bëheshit balerin, keni qenë një futbollist, luanit shumë mirë dhe ishit i apasionuar pas këtij sporti.

Ilir Kerni: I apasionuar si të gjithë fëmijët e asaj kohe, por nuk e teproj të them se kam pasur talent për futbollin. Madje më vonë, njëri prej trajnerëve më të famshëm të asaj kohe, Loro Boriçi, më ka thënë gjithmonë që të lija baletin dhe të vazhdoja futbollin, pasi kisha talent për të, por unë nuk jam bërë aspak pishman për zgjedhjen time.

TCH: Mbaruat Akademinë e Baletit dhe merrni disa role të rëndësishme, pas të cilave keni marrë edhe çmime e tituj të ndryshëm. Vazhdon të jetë një nostalgji e bukur, apo jo? Janë momente që nuk mund të harrohen lehtë?

Ilir Kerni: Natyrisht që rruga ime ka qenë një rrugë pasionante, e vështirë natyrisht. Të gjitha vlerësimet që kanë pasuar kanë qenë një kënaqësi, por mund të them se ka qenë një pasion dhe kurrë nuk kam menduar se po bëj një punë që duhet ta bëj. Thjesht kam ndjekur pasionin dhe kam çliruar energjitë për atë që kam dashur.

TCH: Si ka qenë dashuria për baletin, erdhi në mënyrë graduale, apo e menjëhershme? Sepse të bësh balet të jep një impakt të bukur, por nga ana tjetër ka edhe vështirësi që e shoqërojnë.

Ilir Kerni: Thonë se njëherë të shpalosësh krahët dhe nuk ndahesh dot nga ky profesion. Është tepër e vërtet. Eksperienca e shumë kërcimtarëve në botë dhe e gjithë atyre që merren me kërcimin dashurohen aq shumë, sa e kanë të vështirë të shkëputen më pas.

TCH: Të jesh balerin, sa punë prish gjatësia? Sepse deri në klasën e tetë ju e keni pasur vërtet problem, mendonit se nuk do të hidhnit trup, por pas klasës së tetë ndodhi krejtësisht e kundërta. Ndonjë rrëfim për këtë?

Ilir Kerni: Në fakt, në jetën time kam pasur dy frustracione: ajo që kam qenë shumë i shkurtër e më pas që u bëra shumë i gjatë. Pas 4 viteve balet një prej pedagogëve të mi, që është edhe idhulli im, Papa, më tha se megjithëse më donte dhe më vlerësonte për talentin, por fizikisht isha i  shkurtër, rreth 13 cm më i shkurtër se shokët e mi. Më tha që do më priste edhe 1 vit e më pas mund të largohesha nga shkolla e Baletit. Unë u mërzita, në atë kohë them se doja të largohesha, por ndodhi edhe e papritura. Në vitin e parë të shkollës së mesme hodha shtat sa që u bëra më i gjatë se shokët e mi.

TCH: Ishte diçka e natyrshme? Sepse normalisht ju nuk po merreshit me ndonjë gjë tjetër veçse sportit të futbollit, duke mos pasur ndonjë shtysë tjetër për t’u zgjatur.

Ilir Kerni: Po, ndodhi fare natyrshëm, as vet nuk e di, por ndoshta pasioni dhe dashuria për këtë profesion. Ndodhi ajo që më ka këtë mundësi të pashlyer në jetën time.

TCH: Cili është një nga ato momentet e tua, të daljes në skenë, apo që nuk mund ta harrosh?

Ilir Kerni: Ka shumë momente që i kujtoj me nostalgji, por në përgjithësi është e gjithë jeta artistike që mund të ketë pika referimi, si ato që kam bërë në Shqipëri, në Zagreb, apo kudo ku kam qenë nga Japonia e vende të tjera. Gjithsesi mendoj se mbetet një pasion dhe dashuri që deri sa të jemi në këtë jetë do të jetë pjesë e jona.

TCH: Gjithsecili nga ne ka një udhëheqës shpirtëror, një idhull. Besoj se edhe te Ju ndodh e njëjta gjë, apo jo? Kush ka qenë ky person idhull, model, gjatë gjithë rrugës tuaj artistike.

Ilir Kerni: Respektin dhe konsideratën më të madhe kam ndaj të gjithë atyre me të cilët kam punuar në Shqipërië, Papa, Aliaj, që mbetet një nga ikonat e baletit në Shqipëri, dhe gjithë kolegët e tjerë. Por, kjo është pasuruar shumë edhe me kontaktet dhe punën që kam bërë me njerëzit jashtë. Mund të them se jam ndër rastet e veçanta që kam kërcyer për rreth 10 vite, për fatin që natyra më dha një fizik, si dhe mentalitetin, ndryshe nga standardi i kërcimtarëve që janë sot. Sepse dihet që baleti ka një kufizim kohor, që lidhet më shumë me fizikun, se sa me dëshirën apo pamundësinë. Ndoshta e kam pasur dhuratë prej prindërve të mi, geneve.

TCH: Sa rol luan partnerja në balet dhe kush ka qenë për Ju më e mira, me të cilën ke qenë më komod gjatë eksperiencës suaj të gjatë?

Ilir Kerni: Partnerja ka një domethënie të madhe në bashkëpunim dhe sinergji, nëse flasim për kërcimin, por gjithsesi si në jetë duhet të japësh shumë energji pozitive e dashuri, që me këdo që punon të kesh mundësi ta marrësh mbrapsht këtë energji pozitive që jep. Këto janë fenomene natyrore dhe kanë qenë edhe praktikë e stilit tim të punës.

TCH: Rolet që ju kanë lodhur më shumë, duke i krahasuar edhe me të tjerat?

Ilir Kerni: Është e pamundur që të bëj një ndarje të tillë sepse angazhimi total psiko-fizik dhe artistik brenda vetes është i tillë që nëse maksimalisht investohesh, të gjitha rolet janë tepër të vështira. Ka disa role që kanë standard perfeksioni si disa balete te veçanta, por edhe ai modern është me impenjim të jashtëzakonshëm, kështu që duket të jetë ekstrem, 100% kurdoherë.

(Duke komentuar pamjet nga baleti Halili dhe Hajria) Këtu jemi në një prej veprave nga fondi i artë i baletit shqiptar, që natyrisht nuk do të shuhen por do të mbahen si relike të veprave tona të një periudhe të caktuar. Këtu duhet theksuar dhe përmendur mjeshtri i madh Panajot Kanaci, dhe ne këtë vepër do ta mbajmë e ruajmë, sepse është në nderin e artit tonë në përgjithësi dhe atij koreografik në veçanti.

TCH: TKOB është podiumi i vërtet i talentit dhe artistit shqiptar. Ilir, keni 9 muaj që jeni në krye të këtij institucioni. Mendoni se është kohë e mjaftueshme për të ndryshuar apo përmirësuar problemet që keni gjetur në këtë institucion?

Ilir Kerni: Natyrisht për një teatër 9 muaj janë asgjë, duke menduar se teatri është një traditë që vjen prej krijimit të tyre, dhe dihet që teatrot kanë qindra vjet jetë, ndërsa ai yni ka jo më shumë se 60 vjet. Ndërsa 9 muajt janë shumë pak në këtë hark kohor. Megjithatë mund të them se unë jam i kënaqur me këtë periudhë, është bërë një punë tepër intensive. Skena ka qenë në funksion të të gjithë shpërthimit të artistëve dhe talenteve të tyre, si brenda dhe atyre që kanë ardhur nga jashtë. Edhe shqiptarët nga jashtë kanë debutuar në skenën tonë. Ne kemi gati çdo ditë aktivitet në teatër dhe në këto kritere ne jemi absolutisht si çdo teatër tjetër në botë.

TCH: E konsideroni si një sfidë shumë të madhe tuajën pozicionin tuaj si drejtor në TKOB, pasi është edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi është ai podiumi i vërtet i artit ku bëhet vërtet art.

Ilir Kerni: Natyrisht një sfidë e madhe, duke pasur parasysh tipin tim si karakter ekstrem për të bërë punën time me maksimumin tim. Edhe në këtë punë të re jam angazhuar të jap maksimumin tim. Nëse bëhet një bilanc për këto 9 muaj, mund të vërehen se janë bërë shumë gjëra në një kohë shumë të shkurtër.

TCH: Kishit ndonjë plan apo projekt para se të bëheshit drejtor i këtij institucioni, që do ju ndihmojë në ditët në vijim për ta zbatuar? Pra ku e gjetët dhe ku do e çoni.

Ilir Kerni: Teatri nuk ka ndonjë filozofi të jashtëzakonshme, mjafton që të jetë një teatër normal, me parametra europianë dhe që vendos në skenë opera, balete, koncerte me nivel, dhe ky është teatri. Ai duhet të jetë shtëpi e të gjithë artistëve që të kenë mundësi të shfaqin talentin e tyre dhe jo të jetë i mbyllur. Një praktikë që e kemi lancuar që në fillim dhe e kemi ndjekur. Në teatrin tonë sot vijnë artistë shqiptarë ngado ndodhen, por edhe të huaj. Tanët performojnë në të gjithë kapacitetin e tyre.

TCH: Gjëja e parë që të ra në sy si problem, sapo morët këtë detyrë në institucionin kaq të rëndësishëm dhe me vlera të mëdha artistike?

Ilir Kerni: Ka shumë probleme që nuk ishin ashtu siç duhet, që nga organizimi, apo mosfunksionimi i plotë i të gjithë sektorëve, gjë që është e pajustifikueshme për teatrin. Ai nuk mund të jetë kurrë jo në aktivitet, gjatë një viti. Nga ana tjetër ne po bëjmë gjithçka të mundur që kapacitetet artistike të jenë në funksion të plotë, por edhe të ketë mundësi për shfaqje energjish të reja. Nuk mund të ketë më teatër me pozicione të fiksuara, gjë që e kemi bërë praktikë dhe talentet e reja do të performojnë gjithmonë, duke pasur alternim. Mjafton të kuptohet mentalisht që një artist është i mirë për sa kohë është i tillë, e më pas do të duhet të hapi derën për një tjetër më të mirë.

TCH: E dimë të gjithë, shumë debate ka pasur për kontratat, protesta të herëpashershme nga artistë të TKOB. Çfarë është aktualisht?

Ilir Kerni: Është një kapitull i mbyllur. Kontratat u pranuan nga të gjithë sepse është një normë dhe standard jashtë të cilave TKOB nuk mund të mbetej. Është një formë impulsive për të dhënë maksimumin çdo artist. Në një periudhë të caktuar je i ndërgjegjshëm që duhet të japësh maksimumin, e pastaj nëse vërtet performanca jotë është e tillë mund të vazhdosh, por ka edhe artistë të tjerë që duan të hyjnë në teatër. Nga kjo nuk duhet të ketë asnjë lloj keqkuptimi, sepse duke nisur nga unë, kam qenë me kontrata 1-vjeçare gjithë jetën dhe nuk ka pasur asnjë problem. Po të marrësh eksperiencën e teatrove të vendeve të tjera, funksionon po kështu, s’kemi pse të bëjmë përjashtim nga të tjerët.

TCH: Me kë do ta krahasonit ju TKOB, sepse eksperienca juaj e gjatë dhe protagonizmi në shumë aktivitete dhe role ndërkombëtare, besoj se keni edhe ju njëfarë mendimi për këtë.

Ilir Kerni: Kurdo herë kam qenë realist në jetën time dhe në këtë përgjigje nuk do jem absolutisht ekstrem, që teatri ynë të jetë si Grand Opera, si Opera e Vjenës, apo të tjera. S’ka gjëra të tilla, ne kemi nevojë për një teatër me dinjitet, sepse të tillë janë edhe artistët e dalë prej tij. Doja të shtoja se të gjithë ne kemi qenë ambasadorët e parë që prej viteve ’90 me artin tonë, duke prezantuar produktin më të mirë shqiptar në të gjitha vendet e botës. Por, në këtë dinjitet duhet që TKOB të rikonstrukturohet si godinë, dmth që dinjiteti të jetë në të gjithë aspektet e një teatri normal. Por, jam i sigurt që qeveria e ka këtë si pikë kryesore, ministrja Kumbaro e ka prioritet të qëllimeve të saj dhe shumë shpejt kjo gjë do të bëhet. Siç shikojmë restaurimet për ardhjen e Papës, dhe po merr pamje të mrekullueshme, do t’iu them diçka sentimentale: me këto risi edhe publiku mrekullohet dhe kthehet në identitet ai shesh me Akademinë, kolonat, Universitetin dhe Pallatin e Kongreseve. Unë personalisht kam një lloj keqardhjeje, pavarësisht kënaqësisë së madhe, pasi kjo gjë mund të ishte bërë edhe te Teatri i Operas, por besoj se shumë shpejt edhe ky institucion do të rikonstrukturohet. Jo vetëm dëshirë e kërkesë e imja, por edhe një qëllim absolut i ministres Kumbaro për ta zgjidhur këtë punë.

TCH: Keni një periudhë të gjatë që jeni shkëputur nga Shqipëria për të jetuar në Zagreb prej shumë vitesh, deri diku edhe qyteti juaj i dytë. Flasim pak për eduktimin e publikut shqiptar nëpër opera. Si e gjetët ju dhe sa i edukuar është publiku shqiptar?

Ilir Kerni: Publiku është gjithnjë i mirë, është gjëja që mban artin, teatrin, audiencën gjallë. Gjithsesi ajo që më ka bërë përshtypje është se si në teatër funksiononin gjërat kur bëhej një provë gjenerale dhe kishte mbi 30 kamera, të cilat merrnin intervista ndërkohë që bëhej prova gjenerale. Gjëra të pakuptimta për mua, ose mbajtja e celularëve hapur ndërkohë që jepet shfaqja, gjëra tërësisht të pakonceptueshme. Ndaj bëra një lloj raprezalje në hapat e para dhe kishte reagime të çuditshme në fillim se si mos lejohet celulari gjatë shfaqjes, por kam besim se çdo gjë mund të shmanget. Mendoj se shumë gjëra mund t’i shkruajmë, por kur vjen puna te zbatimi mund të tolerojmë. Por me kalimin e kohës kemi ardhur në një moment që edhe njerëzit disiplinohen se kur hyhet në opera, aty është një vend i shenjtë dhe nuk mund të sillesh kundër kulturës.

TCH: Do doja të flisnim pak për Zagrebin, qytetin tuaj të dytë. Keni shumë vite që i keni dhënë apo i keni marrë, këtë ne nuk e dimë por mund të na e thoni ju… Si arritët atje?

Ilir Kerni: Zagrebi është qyteti i dytë pas Tiranës dhe nëse flas për të menjëherë mund të ndiej nostalgji. Jeta ime atje ishte e gjatë, gati 20 vjet, tepër e konsiderueshme si periudhë. Jam ndierë mirë, më ka dhënë shumë gjëra dhe mundësinë për të shpalosur gjithçka kisha brenda meje. Mundësinë e të qenit drejtues, balet-maestro, dhe të shkëputjes për të bërë aktivitetin tim kudo. Shumë gjëra, por natyrisht që Tirana është vendi dhe qyteti im. Jam tirons dhe koha e ka treguar këtë.

TCH: Teatri nacional i Zagrebit iu ka vlerësuar dhe ju ka dhënë edhe role të rëndësishme. Më shumë keni marrë apo keni dhënë, si e konsideroni këtë aspekt?

Ilir Kerni: Unë kam bërë punën time si prima i Zagrebit në gjithçka që ka qenë në repertor, por nga ana tjetër mund të them se Kroacia më ka vlerësuar dhe më ka dhënë ndoshta atë që meritoj. Kam disa çmime atje, çmim të veçantë nga qyteti i Zagrebit, por që nuk ka nevojë t’i përmend më tej.

TCH: Nëse nuk do ishit në Zagreb, cili do të ishte qyteti tjetër i preferuar prej jush për të jetuar, për të ushtruar profesionin artistik, përveç Shqipërisë?

Ilir Kerni: Nuk kam ndonjë preferencë, jam zhvendosur shumë gjatë profesionit tim dhe kudo e kam parë veten të integruar. Nëse do të flasim pastaj për një periudhë të mëvonshme, se ku mund të shkoja, natyrisht që do të ishte mes Tiranës dhe Zagrebit.

(Duke komentuar me kryebashkiakun e sotëm të Zagrebit) Këtu kam marrë çmimin Pllakat i Zagrebit për personalitete të ndryshme në fusha të ndryshme, jo vetëm art, por edhe shkencë, sport, etj. Këtu ka qenë edhe Ivanishevic, një prej tenistëve më të famshëm. Kanë qenë edhe të tjerë, prandaj edhe në njëfarë kuptimi jam edhe qytetar i Zagrebit, përveç se tirons.

TCH: Me kaq shumë angazhime e detyrime, sa e frekuenton tashmë Zagrebin, apo sa kohë ke pa shkuar atje?

Ilir Kerni: Kam shkuar shumë pak sepse e kam pasur të pamundur të lëviz. Kam qenë për nënshkrimin e bashkëpunimit mes dy teatrove tanë, për të marrë një kostum të dhuruar prej teatrit të Zagrebit, jam në kontakt me ta, por fizikisht jo shumë pranë me ta.  Edhe pse atje kam pothuajse gjithçka. Kjo sepse 20 vjet nuk janë pak në jetën e njeriut.

TCH: Të gjithë jemi kurioz të dimë për drejtorin e TKOB, a është i martuar Iliri?

Ilir Kerni: Sigurisht, kjo (në foto) është Dorotea, kemi një kohë të gjatë bashkë dhe është një personazh që jo vetëm më ka mbështetur, por kemi bërë një rrugëtim së bashku dhe është një domethënie shumë e madhe në jetën time.

TCH: Keni të njëjtin profesion?

Ilir Kerni: Jo, Dorotea nuk është balerinë, por është bibliotekiste, ka punuar në bibliotekën nacionale të Zagrebit, ka studiuar atje, ka qenë përkthyese dhe është marrë me shumë aktivitete të tjera, por dëshirën për artin dhe skenën e ka shumë të madhe dhe, nëse do t’i besoja njeriu për këtë gjë, ajo do të ishte e para.

TCH: Gatuan aq mirë dhe aq me shije sa nëna juaj, nga e cila çdo ushqim e shijon me dashuri?

Ilir Kerni: Sigurisht, feelingun e ka të stërholluar dhe ajo është mjeshtre edhe në gatim.

TCH: Na flisni pak për prindërit, për nënën tuaj, me të cilën ju shpreheni jo vetëm me dashuri si çdo fëmijë për nënën e vet, por e quani edhe një mbështetje dhe energji pozitive gjatë gjithë karrierës suaj profesionale.

Ilir Kerni: Prindërit janë të pazëvendësueshëm në jetën e çdo njeriu dhe më shumë se çmund të thotë çdokush nga ne, nuk mund të them as unë. Përveç se të uroj që të kenë një jetë të gjatë dhe të na mbajnë me dashurinë që nuk zëvendësohet asnjëherë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta