Protestat në Pakistan

01/09/2014 00:00

Televizioni kombëtar i Pakistanit rinisi transmetimin pasi forcat e sigurisë arritën të dëbojnë demonstruesit anti-qeveritarë që kishin hyrë me dhunë në ambientet e tij.

Përpara këtij episodi, kryeqyteti Islamabad ishte bërë skenë përplasjesh të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Tubuesit besnikë të liderit të opozitës Imran Khan dhe klerikut Tahirul Qadri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Navaz Sharif, të cilin e akuzojnë për korrupsion e manipulim të zgjedhjeve.

Si Khan ashtu edhe Qadri kanë bërë thirrje për qetësi e i nxisin simpatizantët e tyre të bashkëpunojnë me ushtrinë, megjithatë incidentet nuk kanë munguar.

Në episodet e sotme të dhunës raportohen të kenë mbetur të plagosur disa policë, ndërsa që prej ditës së shtunë përplasjet e ashpra mes demonstruesve e forcave të rendit kanë shkaktuar të paktën tre të vdekur.

Numri total i të lënduarve është mbi 400. Përleshjet shpërthyen të enjten vonë, pasi mijëra vetë u përpoqën të hynin me forcë në kompleksin që shërben si zyrë dhe rezidencë për kryeministrin pakistanez. Forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe plumba plastikë. Episodet e dhunës vazhduan me intervale gjatë gjithë së dielës, ndërsa protestuesit, disa të armatosur me shufra dhe çekiçë, hidhnin gurë drejt policisë që qëllonte me gaz lotsjellës.

Një ditë më parë, shefi i ushtrisë pakistaneze, gjeneral Raheel Sharif, drejtoi një takim të komandantëve të lartë dhe paralajmëroi qeverinë se “përdorimi i mëtejshëm i forcës veçse do ta perkeqësojë” gjendjen e trazuar politike.

Një deklaratë e ushtrisë e citon atë të përsërise se kriza duhet zgjidhur pa humbur kohë në rrugë politike dhe pa përdorur mjete të dhunshme.

Top Channel