Për të mundur terrorin, na duhet ndihma e botës

30/08/2014 00:00

Nga John Kerry – Në një rajon të polarizuar dhe një botë të komplikuar, Shteti i Islamik i Irakut dhe Sirisë paraqet një kërcënim unifikues për një numër të gjerë vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ajo që nevojitet për t’u përballur me këtë vizion nihilist dhe axhendë genocide është një koalicion global që përdor mjete politike, humanitare, ekonomike, ligjzbatuese dhe të inteligjencës për të mbështetur forcën ushtarake.

Përveç prerjes së kokave, kryqëzimeve dhe akteve të tjera të ligësisë totale, të cilat kanë vrarë mijëra të pafajshëm në Siri, Irak dhe Liban, përfshi myslimanët sunitë besimin e të cilëve pretendon se përfaqëson, ISIS (të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quajnë ISIL, ose Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit) paraqet një kërcënim edhe shumë përtej rajonit.
 
ISIS e ka origjinën në atë që dikur njihej si Al Qaeda në Irak, e cila ka një përvojë më shumë se dhjetëvjeçare në dhunë ekstremiste. Grupi ka grumbulluar një forcë luftuese të stërvitur prej xhihadistësh të përkushtuar me ambicie globale, që shfrytëzojnë konfliktin në Siri dhe tensionet sektare në Irak. Udhëheqësit e tij i kanë kërcënuar Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur dhe në maj, një terrorist i lidhur me ISIS qëlloi dhe vrau tri persona në Muzeun Hebre në Bruksel. (Një viktimë e katërt vdiq 13 ditë më pas.) Radhët e luftëtarëve të huaj të ISIS janë një kërcënim në rritje jo vetëm në rajon, por kudo ku do të mund të udhëtonin pa u pikasur – përfshi në Amerikë.
 
Ka prova që këta ekstremistë, nëse lihen jashtë kontrollit, nuk do të kënaqen duke ndaluar në Siri dhe Irak. Në këtë mishërim, ata janë më të mëdhenj dhe të financuar më mirë, duke përdorur naftë të piratuar, rrëmbimet dhe shantazhe për të financuar operacionet në Siri dhe Irak. Janë të pajisur me armë të rënda të sofistikuara, bastisur nga fushëbetejat. Kanë demonstruar tashmë aftësinë për të kapur dhe mbajtur më shumë territory se sa çdo organizatë tjetër terroriste, në një rajon strategjik që është në kufi të Jordanisë, Libanit dhe Turqisë dhe është në afërsi të rrezikshme me Izraelin.
 
Luftëtarët e ISIS kanë demonstruar barbari dhe mizori revoltuese. Edhe pse masakrojnë muslimanë shiitë dhe të krishterë në përpjekjen e tyre për të vënë në lëvizje një konflikt më të gjerë etnik dhe sektar, ata ndjekin një strategji të përllogaritur për të vrarë muslimanë sunitë si vetja për të shtënë në dorë dhe për të mbajtur territore. Prerja e kokës e një gazetari amerikan, James Foley, ka tronditur ndërgjegjen e botës.
 
Me një përgjigje të bashkuar udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe koalicionin më të gjerë të mundshëm të kombeve, kanceri i ISIS nuk do të lejohet të përhapet në vende të tjera. Bota mund të përballet me këtë murtajë dhe në fund ta mposhtë atë. ISIS është i urryer, por jo i gjithëpushtetshëm. Kemi tashmë prova në Irakun e veriut, ku goditjet ajrore nga Shtetet e Bashkuara kanë kthyer drejtimin e luftimit, duke ofruar hapësirë që forcat irakene dhe kurde të hidhen në ofensivë. Me mbështetjen tonë, udhëheqësit e Irakut janë bashkuar për të  formuar një qeveri të re, përfshirëse që është thelbësore për izolimin e ISIS dhe për të siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Irakut.
 
Goditjet ajrore nuk do mund ta mposhtin këtë armik. Nga bota kërkohet një përgjigje shumë më e plotë. Ne duhet të mbështesim forcat irakene dhe opozitën e moderuar siriane, të cilët po përballen në vijën e frontit me ISIS. Duhet të çorientojmë dhe shkatërrojmë kapacitetet e ISIS dhe t’i kundërvihemi mesazhit të tij ekstremist në media. Dhe, duhet të forcojmë mbrojtjen dhe bashkëpunimin tonë për të mbrojtur njerëzit tanë.
 
Javën e ardhshme, mënjanë samitit të NATO-s në Uells, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe unë do të takohemi me homologët e aleatëve tanë europianë. Synimi është të sigurojmë ndihmën më të gjerë të mundshme.pas takimit, Z. Hagel dhe unë kemi në plan të udhëtojmë në Lindjen e Mesme për të mbledhur më shumë mbështetje për koalicionin mes vendeve që janë të kërcënuara më drejtpërdrejt.
 
Shtetet e Bashkuara do të kenë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shtator dhe ne do ta përdorim atë mundësi për të vazhduar të ndërtojmë një koalicion të gjerë dhe për të theksuar rrezikun që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë, përfshi ata që janë bashkuar me ISIS. Gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme, Presidenti Obama do të drejtojë një samit të Këshillit të Sigurimit për të paraqitur një plan që merret me këtë kërcënim kolektiv.
 
Në këtë betejë ka një rol për thuajse çdo vend. Disa do të ofrojnë ndihmë ushtarake, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Disa do të ofrojnë ndihmë humanitare që nevojitet dëshpërueshëm për ata miliona njerëz që janë zhvendosur dhe viktimizuar në të gjithë rajonin. Të tjerë do të ndihmojnë për të ringritur jo thjesht ekonomi të shkatërruara por edhe besimin e thyer mes fqinjëve. Kjo përpjekje është tashmë në proces në Irak, ku të tjera vende janë bashkuar me ne për të ofruar ndihmë humanitare, ndihmë dhe mbështetje ushtarake për një qeveri gjithëpërfshirëse.
 
Tashmë përpjekjet tona kanë bërë që kësaj kauze t’i bashkohen dhjetëra vende. Sigurisht që në lojë janë interesa të ndryshme. Por asnjë vend i denjë nuk mund të mbështesë tmerret e kryera nga ISIS dhe asnjë vend i civilizuar nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë për të ndihmuar që kjo sëmundje të zhduket.
 
Taktikat e urryera të ISIS po bashkojnë dhe lidhin fqinjë me interesa tradicionalisht të kundërta për të mbështetur qeverinë e re të Irakut. Dhe me kalimin e kohës, ky koalicion mund të fillojë të merret me faktorët që janë në rrënjë të ISIS dhe të tjera organizatave terroriste me axhenda të ngjashme.
 
Ndërtimi i koalicioneve është punë e vështirë, por është mënyra më e mirë për t’u përballur me një armik të përbashkët. Kur Sadam Huseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, Presidenti Xhorxh Bush i parë dhe Sekretari i Shtetit Xhejms A. Bejker nuk vepruar as vetëm e as me nxitim. Në mënyrë metodike, ata grumbulluan një koalicion vendesh, veprimi i bashkërenduar i të cilëve, solli një fitore të shpejtë.
 
Ekstremistët munden vetëm kur vendet e përgjegjshme dhe popujt e tyre bashkohen për t’iu kundërvënë atyre.
 
John Kerry është Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara.

Top Channel