Mbi 3 milionë sirianë janë të regjistruar si refugjatë dhe kriza e dëshpëruar në Siri vetëm sa vjen e përkeqësohet, deklaron agjencia e OKB-së për refugjatët.
UNHCR deklaron se Siria aktualisht është emergjenca më e madhe humanitare e epokës sonë, me thuajse gjysmën e sirianëve të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Shumica e refugjatëve janë larguar në vendet fqinje si Siria, ndërsa 1.14 milionë aktualisht po kërkojnë strehim në Liban. Mbi 190 mijë persona janë vrarë përgjatë konfliktit trevjeçar sirian.
Grupet e opozitës në vend kanë luftuar forcat besnike të presidentit Bashar al Assad që kur qeveria e tij shtypi protestat ndaj tij në mars 2011.
Situata në muajt e fundit është përkeqësuar nga formimi dhe avancimi i militantëve të Shtetit Islamik, që tani kontrollon zona të shumta në Siri dhe Irak.
UNHCR deklaron se një në 8 sirianë ka kaluar kufirin dhe 6.5 milionë të tjerë, gjysma e të cilëve fëmijë, janë zhvendosur brenda Sirisë.
Familjet që mbërrijnë në kampet e refugjatëve në vendet fqinje janë të raskapitura dhe të trembura. Disa prej tyre kanë kaluar një vit ose më shumë duke u arratisur nga një fshat në tjetrin brenda territorit sirian.
Agjencia e OKB-së thotë më tej se udhëtimi jashtë Sirisë po bëhet gjithnjë e më i vështirë, me shumë njerëz që detyrohen të paguajnë banda të armatosura.
“Kriza siriane është kthyer në emergjencën më të madhe ndërkombëtare të epokës sonë dhe sërish bota po dështon në plotësimin e nevojave të refugjatëve dhe vendeve që i strehojnë ata”, deklaroi komisioneri i OKB për Refugjatët, Antonio Guterres.
Top Channel