ISIS ekzekuton ushtarin kurd

29/08/2014 00:00

Pas paralajmërimit për Amerikën, nga ISIS mbërrin një tjetër video tmerruese që këtë herë i drejtohet forcave kurde të angazhuara në luftën kundër tij në veri të Irakut.

Tre xhihadistë të veshur me të zeza e me fytyra të mbuluara i prenë kokën një ushtari kurd dhe pamjet filmike, ashtu si në rastin e reporterit amerikan James Foley i hodhën në internet.

Në videon e titulluar: “mesazh i shkruar me gjak”, militantët thonë se kanë disa luftëtarë peshmerga në duart e tyre dhe i bëjnë thirrje të tjerëve të tërhiqen nëse nuk duan të kenë të njëjtin fund me të riun e ekzekutuar përpara një xhamie.

Peshmergatë kurdë nga rajoni autonom i Kurdistanit në Irakun verior janë përpjekur prej javësh të zmbrapsin avancimin e ISIS-it, të mbështetur edhe nga sulmet ajrore amerikane.

Grupi militant sunit shpalli një kalifat islamik në territoret e Sirise dhe Irakut, që ka sot nën kontroll. Videoja e fundit e prodhuar me qëllimin e qartë që të mbjellë frikë, ashtu si dhe e para synon të trembë kurdët që luftojnë kundër militantëve në veri të Irakut.

Si për ta bërë akoma më të besueshëm e më tmerrues filmimin, ekzekutimi është xhiruar në dy kënde të ndryshme. Por sfondi këtë radhë nuk është neutral.

Jo pa qëllim, vrasja është zgjedhur të kryhet përpara xhamisë qendrore të Mosulit, një provokim i hapur ky që kërkon të tregojë se qyteti tashmë është krejtësisht në duart e xhihadistëve.

Një ditë më parë, presidenti amerikan Barack Obama njoftoi se shumë shpejt do të nisë drejt Lindjes së Mesme sekretarin e Shtetit John Kerry, për të diskutuar krizën e Sirisë me partnerët rajonale, sidomos ata që aderojnë në besimin sunit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente pak përpara se të mblidhte këshilltarët e sigurisë kombëtare për të diskutuar mbi mundësitë e veprimit të Pentagonit në përballjen me ISIS-in.

Një ditë më parë, ISIS publikoi filmimet dhe fotot që tregonin ekzekutimin e rreth 250 meshkujve të zhveshur, që besohet se ishin ushtarë të bazës ajrore Tabka pranë qytetit Raka, i konsideruar fortesë e ekstremistëve.

Top Channel