Kërcënimi për të vrarë gazetarin

28/08/2014 00:00

Pas ekzekutimit të James Foley, në videon e vrasjes së tij të hedhur në internet me qëllimin t’i dërgohej Amerikës një mesazh i qartë për të ndaluar sulmet ajrore në Irak, militantët treguan edhe një tjetër peng, i cili rrezikon të ketë të njëjtin fat me fotoreporterin 40-vjeçar.

Steven Sotloff, edhe ai gazetar, mund të jetë pengu i radhës që vdes në një mënyrë aq të tmerrshme. E ëma e 31-vjeçarit, Shirley Sotloff, iu lut rrëmbyesve ta lënë të birin të lirë: “Im bir është në duart tuaja. Si nënë i kërkoj drejtësisë tuaj të jetë e mëshirshme e të mos ndëshkojë djalin tim për çështje mbi të cilat ai nuk ka asnjë kontroll. Ju lutem të përdorni autoritetin tuaj për t’i kursyer jetën.”

Thirrjen e saj zonja Sotloff ia drejtonte personalisht kreut të ISIS-it, Abu Baker Al Bagadit. Bombardimet amerikane në veri të Irakut vazhduan pavarësisht ekzekutimit të Foleyt, ndërsa militantët thanë në video se jeta e 31-vjeçarit Sotloff do të varet nga lëvizjet e ardhshme të Barak Obamës. Në mesazhin e saj e ëma thekson se i biri kishte udhëtuar në Lindjen e Mesme për të dëshmuar vuajtjet e muslimanëve në duart e udhëheqësve tiranë.

Steveni është thjesht një reporter i pafajshëm, shprehet ajo, gjithmonë kam mësuar se Kalifi mund të ofrojë amnesti, ndaj ju lutem të lironi fëmijën tim.

Hetuesit pritet ndërkohë të bëjnë publik shumë shpejt emrin e ekzekutuesit të Foleyt. Edhe pse autori i vrasjes ishte i mbuluar krejtësisht e në filmime i shihen vetëm sytë, theksi i qartë britanik e tradhëtoi, ndërsa të dhëna mund të nxirren edhe nga zëri i tij.

Siç sqarojnë ekspertët, secili prej nesh ka një artikulim të caktuar për shkak të konstruktit të nofullës, e zëri i vrasësit do të krahasohet me atë të disa personave të dyshuar.

Top Channel