Erdogan zyrtarisht president i Turqisë

28/08/2014 00:00

Rexhep Tajip Erdogan u betua zyrtarisht si presidenti i ri i Turqisë, pasi fitoi për herë të parë zgjedhjet e drejtpërdrejta me votë nga populli.

Erdogan ka premtuar se do t’i japë më shumë kompetenca rolit të presidentit në vend, gjë e cila është përkthyer nga analistët si rritje e përqendrimit të pushtetit në duart e tij.

Ata shtojnë se Erdogan do të bëhet më autoritar tanimë. Megjithatë, Erdogan premtoi në betimin e tij presidencial se do të mbrojë integritetin e Turqisë, si edhe do t’i përmbahet parimeve themelurse të Turqisë moderne.

Presidenti u zotua për të mbrojtur ekzistencën dhe pavarësinë e “kombit të madh turk”, si dhe sundimin e ligjit, demokracisë dhe republikës laike.

Por disa deputetë në shenjë revolte ndaj tij u larguan pak para ceremonisë së betimit. Ndërkaq, në ceremoni nuk pati asnjë përfaqësues nga vendet perëndimore, ndërsa të pranishëm ishin homologët e vendeve fqinje.

Pas betimit Erdogan u largua nga Parlamenti dhe vendosi një kurorë në muzeun e Ataturkut në qendër të Ankarasë, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga simbolet më të rëndësishme të republikës laike.

Korrespondenti i BBC thotë se Erdogan do të përballet me presion të vazhdueshëm nga liderët ndërkombëtarë, edhe pse fitorja e tij ishte e bindshme me mbi 50% të votave që në raundin e parë.

Top Channel