Vritet xhihadisti amerikan

27/08/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë konfirmoi vdekjen e një shtetasi amerikan që besohet se ka luftuar në krah të militantëve në Siri. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtar, Caitlin Hayden pohoi se zyrtarët në Uashington kanë qenë në dijeni të veprimtarisë se Douglas McCain-it në këtë vend, ku mund të jenë me dhjetëra amerikanë që veprojnë në anën e xhihadistëve.

Hayden shtoi se administrata po vazhdon përpjekjet për të “parandaluar udhëtimin e individëve jashtë vendit për të marrë pjesë në lufte”.

“E dinim se Douglas McCain ishte në Siri dhe mund ta pohojmë vdekjen e tij. Ne po vazhdojmë të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për të penguar largimin e individëve të caktuar me qëllim pjesëmarrjen në xhihadin e dhunshëm dhe po gjurmojmë e mbikqyrim të gjithë ata që kthehen në Shtetet e Bashkuara”, tha Caitlin Hayden, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Xhaxhai i 33-vjeçarit i tha kanalit televiziv CNN se para disa viteve McCain ishte konvertuar nga i krishterë në mysliman, ndërsa kushërira e tij, Jocelyn Smith u shpreh e tronditur nga lajmi i vdekjes, por shton se nuk dinte asgjë për udhëtimin e tij në Siri apo luftën në krah të militantëve të ISIS-it.

Nuk e kuptoj, citohet të ketë thënë ajo, se çfarë bënte në atë vend. Ne e dinim se është në Turqi, edhe pse nuk e kishim të qartë se çfarë donte atje.

Në Siri këto vitet e fundit kanë shkuar me qindra luftetarë të huaj. Dy prej luftëtarëve amerikanë që i janë bashkuar ISIS ishin konfirmuar deri tani si të vrare në konflikt, Nicole Lynn Mansfield dhe Moner Mohammad Abu-Salha. 22-vjeçari Salha nga Ëest Palm Beach i Floridës vdiq prej një shpërthimi në 25 maj gjatë një sulmi ndaj ushtrisë siriane. Ai ishte bashkuar me grupin rebel Al Nusra e u kthye në të parin kamikaz amerikan në konfliktin e Sirisë.

Top Channel