Netanyahu ‘shpall fitoren’ në Gaza

27/08/2014 00:00

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se konflikti, i cili zgjati rreth 7 javë, përfundoi me “fitore”.

“Lëvizja palestineze islamike e Hamasit u godit keqazi dhe asnjë nga kërkesat e saj nuk u plotësua”, ka thënë Netanyahu në një intervistë televizive.

Hamasi ka pohuar se edhe armëpushimi përfaqëson një fitore për Gazën dhe mbajtën një tubim të madh për ta festuar atë. Armëpushimi hyri në fuqi gjatë ditës së martë, pas 50 ditëve të luftimeve të ashpra në të cilat më shumë se 2200 persona mbetën të vdekur, shumica prej tyre palestinezë.

Të mërkurën, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se një prej karvanëve të saj kishte hyrë në Gaza për herë të parë që nga viti 2007, i cili mbante ushqime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e 150 mijë personave për 5 ditë.

Armëpushimi ndërmjet autoritetit palestinez të Hamasit dhe Izraelit i dha mundësinë banorëve të Gazës të rifillojnë nga e para një jetë normale.

Ky proces, në dukje shumë i vështirë, me sa shihet do të marrë shumë kohë, pasi gjithçka përreth është e shkatërruar.

Për shkak të ndalimit të luftimeve, shumë fotoreporterë të huaj kanë mbërritur në Gaza për të paraqitur një tablo më të qartë të vendit. Rrugët janë bllokuara dhe kudo sheh persona të mbingarkuar me materiale ndërtimi për të hedhur themelet e banesave të reja.

Top Channel