Ebola, Nigeria mbyll shkollat

27/08/2014 00:00

Të gjitha shkollat në Nigeri janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllura deri më 13 tetor, në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës, Ebola.

Viti i ri akademik ishte parashikuar të fillonte të hënën, por ministri i Arsimit urdhëroi mbajtjen e shkollave mbyllur, me qëllim që stafi i tyre të ketë kohë për t’u trajnuar mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të dyshuara me Ebola.

Të paktën 5 persona kanë vdekur nga virusi në fjalë në Nigeri. Në Afrikën Perëndimore ai është i pranishëm në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone, ku ka vrarë mbi 1.400 persona.

Bëhet fjalë për epideminë më të gjerë të përhapur ndonjëherë dhe që vlerësohet të ketë prekur 2.615 persona, më shumë se gjysma e të cilëve kanë vdekur.

Në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës, virusi u përhap në korrik, kur një person i infektuar udhëtoi nga Liberia në Lagos.

Kreu i Bankës Afrikane të Zhvillimit, Donald Kaberuka u ka bërë thirrje kompanive ajrore që të rifillojnë shërbimet e tyre në zonat më të prekura të vendit.

Vende të ndryshme të Afrikës dhe linja të shumta ajrore që veprojnë në këtë kontinent kanë ndaluar fluturimet për në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se kjo masë nuk funksionon në rastin e virusit.

Ndërsa “Air France” ka njoftuar në orët e fundit se do të ndërpresë fluturimet drejt Sierra Leones duke filluar nga dita e enjte, me kërkesë të qeverisë franceze.

Virusi Ebola nuk përhapet me anë të ajrit por përmes njerëzve, nëpërmjet kontaktit direkt me lëngjet trupore të personit të infektuar.

Top Channel