Christine Lagarde nën hetim

27/08/2014 00:00

Christine Lagarde pohoi se është vënë nën hetim për neglizhencë nga autoritetet franceze. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar është marrë në pyetje lidhur me rolin e saj në kompensimin e biznesmenit Bernard Tapie me 400 milionë euro në vitin 2008, por mohon çdo veprim të gabuar.

Në kohën e episodit të vënë nën hetim, 58-vjeçarja Lagarde ishte ministre Financash në qeverinë e Nicolas Sarkozy, të cilin Tapie e kishte mbështetur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007. Biznesmeni ka qenë dikur aksioner kryesor i firmës sportive Adidas, por e shiti pjesën e tij në vitin 1993 në mënyrë që të siguronte një post ministror në kabinetin e Francois Mitterrand.

Por, me pretendimin se Credit Lyonnais e kishte mashtruar në këtë shitje, duke i fshehur në mënyrë të qëllimshme vlerën reale të kompanisë, ai e hodhi në gjyq bankën franceze. Cështja e kompensimit kaloi më pas në gjykimin e një paneli 3-anëtarësh, një prej të cilëve ishte pikërisht Lagarde. Hetuesit dyshojnë se pretendimet e Tapie-së u mbështetën e atij iu dha një shumë e majme në këmbim të përkrahjes që do t’i ofronte Sarkozisë.

Lagarde vazhdon të këmbëngulë se vendimi për ta zgjidhur me atë nivel kompensimi sherrin e zgjatur të Tapie-së me Credit Lyonnais ishte zgjidhja më e mirë që mund të ofrohej në ato momente.

Top Channel