Baza të NATO-s në Europën Lindore

27/08/2014 00:00

Për herë të parë NATO do të vendosë forcat e saj në baza të reja në Europën Lindore, në përgjigje të krizës se Ukrainës, si edhe në një përpjekje për të penguar veprimtarinë problematike të Vladimir Putin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi se samiti që do të mbahet javën e ardhshme në Cardiff, do të jetë vendimtar për përcaktimin e trupave të reja, kryesisht në kufijtë e Rusisë.

Ai i cilësoi këto si masa kyçe për të rritur sigurinë e Kievit prej kërcënimit të ardhur nga Moska.
Ndërkaq Polonia dhe tre shtetet e tjera baltike janë gjithashtu të alarmuar nën kërcënimin e mundshme nga Rusia dhe për një kohë të gjatë kanë kërkuar një prani më të madhe të NATO-s në rajon.

Por, çështja e bazave të përhershme të NATO-s në Europën Lindore duket te jete përçarëse. Franca, Italia dhe Spanja janë kundër, ndërsa amerikanët dhe britanikët janë përkrahës të kërkesave të Europës lindore.

Megjithatë, samiti i Cardiff-it duket se do të dalë me një formulë ndryshe nga sa NATO ka funksionuar deri tani sepse Europa ndodhet në një situatë krejt të re të sigurisë.

Top Channel