Agjencia Kombëtare e Planifikimt të Territorit do të anulojë lejet e ndërtimit të dhëna nga kryetarë komunash dhe bashkish në kundërshtim me ligjin.

Sipas drejtores së kësaj agjencie, Adelina Greca, shpesh drejtuesit vendorë kanë gënjyer qyetarët, ndaj kërkojnë mirëkutpimin e tyre për të mos nisur të ndërtojnë kur leja nuk është brenda rregullave dhe ligjit. Disa prej tyre, thotë Greca, do të bëhen publike.

“Shumë krerë bashkish e komunash kanë firmosur letra të pabazuara në ligj dhe si rrjedhojë ato janë të pavlefshme. Me këto letra janë gënjyer qytetarë e investitorë se kanë marrë leje, ndërkohë që ajo është vetëm një letër me firmë. Në ditët në vijim do denoncojmë disa prej këtyre shkeljeve të pushtetarëve vendorë”, deklaroi Greca.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit është marrë vendim për harmonizimin e instrumneteve të planifikimit të territorit në funksion të ndarjes së re administrativo-territoriale.

“Kryetarët e bashkive dhe komunave kanë kryer dëme të parekuperueshme dhe kanë cënuar rëndë asetet mjedisore të Shqipërisë. Janë dhënë leje ndërtimi në rrëzë të monumenteve të kulturës dhe janë miratuar plane vendore që cënojnë rëndë vijën bregdetare, tokën bujqësore, etj, duke dëmtuar ekonominë e vendit. Gjithashtu, janë shkelur haptazi dhe nuk është marrë parasysh kodi rrugor dhe rregullorja për zbatimin e tij”, theksoi Greca.

Vendimi i marrë së fundmi në KKT për planifikimin shoqërohet me përcaktime që lidhen me çështje me rëndësi kombëtare në planifikim, siç është mbrojtja e rrugëve interurbane nga ndërtimi i objekteve në hyrje-daljet e tyre, duke cënuar sigurinë rrugore.

PD: Dy standarde për ndërtimet pa leje
“Nga njëra anë shpall luftë, nga ana tjetër lejon masakra mjedisore”

Opozita akuzoi sërish sot qeverinë për veprime me standarde të dyfishta lidhur me ndërtimet pa leje. Deputeti Arben Ristani tha se nga njëra anë qeveria u ka shpallur luftë ndërtimeve informale që dëmtojnë territorin dhe nga ana tjetër lejon ndërtime që shkaktojnë masakra mjedisore të klientëve të qeverisë.

“Jemi këtu për të treguar gënjeshtrën e paskrupullt të Edi Ramës. Makineri të tonazhit të rëndë po shembin një nga kodrat e Tiranës për ta kthyer në shesh ndërtimi. Është mirë të kujtojmë edhe propagandën boshe të kryeministrit. Kjo nuk është për Edi Ramën një vrasje, sepse po e bën njeriu më i afërt i Erjon Veliajt. Pse nuk ka asnjë proçedim penal për këtë masakër? Sepse po e bën njeriu i tij. Ky është një skandal që ndodh në mes të Tiranës dhe në mes të ditës dhe tregon politikën selektive dhe korruptive të Edi Ramës për kontrollin e territorit”, deklaroi Ristani.

Aksioni kundër ndërtimeve pa leje

Pas deklarimit të Kryeministrit se ndërtimet pa leje duhet të trajtohej me seriozitet nga ana e policisë, Drejtoritë e Policive në rrethe nisën të raportojne aksionet për bllokimin e ndërtimeve pa leje.

Zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Qato tha se janë bërë 64 denoncime.

“Strukturat e Policisë së Shtetit prej tri ditësh kanë vënë në zbatim një sërë masash për goditjen e krimit mjedisor, krimet që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe në mënyrë të veçantë ndërtimet pa leje. Në sajë të këtyre masave në harkun kohor të 48 orëve janë gjetur 64 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 64 persona, nga të cilët gjashtë shtetas janë arrestuar në flagrancë, 56 ndiqen në gjendje të lirë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga strukturat e Policisë së Shtetit në ato raste kur do të gjehen veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin të punonjësve të institucioneve që ligji i ngarkon me detyra në këtë drejtim, si organet e pushtetit vendor, inspektoriatet ndërtimore urbanistikë, inspektoriatët e policisë pyjore, inspektorët e mjedisit e të tjerë, në ngarkim të tyre do të kryhen procedimet për veprën penale shpërdorim detyre”, tha zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato.

Top Channel