Letra e gazetarit të vrarë nga ISIS

26/08/2014 00:00

James Foley nuk i dërgonte dot letra familjes së tij sepse pengmarrësit ia konfiskonin menjëherë. E vetmja mënyrë që gjeti për të përcjellë një mesazh të fundit ishte përmes një pengu tjetër, i cili pas lirimit nuk vonoi t’ia dërgonte letrën nënës së reporterit 40-vjeçar, Diane.

Familja e gazetarit amerikan të rrëmbyer e ekzekutuar në mënyrë barbare nga militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Levant vendosi ta publikojë duke ndarë me të gjithë të tjerët rreshtat e shkruar nga Foley mes terrorit psikologjik të rrëmbyesve të tij, të cilët ishin me të më të dhunshëm se me pengjet e tjerë pasi i gjetën në laptop fotografitë e të vëllait, pjesëtar i forcave ajrore amerikane.

Letra është e thjeshtë, por tepër e dhimbshme duke pasur parasysh fatin e 40-vjeçarit.

“Më kujtohet që shkoja në supermarket me babain, mbaj mend një shëtitje të gjatë me mamin me biçikleta. Më vijnë ndër mend plot momente të bukura të kaluara me familjen time shumë larg këtij burgu. E di se të gjithë mendoni dhe luteni për mua dhe jam shumë mirënjohës. Ju ndjej pranë të gjithëve, sidomos kur lutem edhe unë. Lutem që të qendroni të fortë e të mos humbisni besimin. Kam pasur ditë të mira e të këqija. Gezohemi kur dikush lihet i lirë, por, sigurisht jemi secili të etur për lirinë tonë. Përpiqemi t’i japim njëri-tjetrit guxim dhe forcë”, thuhet në letër.

Foley, një freelancer që së fundmi punonte për GlobalPost u rrëmbye në veri të Sirisë nëntorin e viti 2012 teksa mbulonte luftën civile të vendit. Javën që shkoi militantët e ISIS-it hodhën në internet një video ku tregohej momenti i ekzekutimit të tij me prerje koke nga një burrë i maskuar, i cili fliste një anglishte të qartë me theks britanik.

Të dielën, Ambasadori i Britanisë në Shtetet e Bashkuara, Peter Ëestmacott i tha CNN-it se zyrtarët e vendit të tij janë tashmë shumë pranë identifikimit të vrasësit.

Top Channel