Fluturime survejimi mbi Siri

26/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka autorizuar fluturime survejimi mbi Siri. Lajmin e dha mbrëmjen e djeshme një zyrtar i lartë amerikan, i cili sqaroi se shefi i Shtëpisë së Bardhe nuk ka miratuar ndonjë veprim ushtarak.

Por Uashingtoni, gjithmonë sipas pohimeve të zyrtarit në fjalë, është duke vënë në tryezë të gjitha opsionet e mundshme ushtarake për të luftuar militantët e Shtetit Islamik që kanë pushtuar territore të tëra në Sirinë lindore dhe në Irakun verior e perëndimor.

Avionët amerikanë kanë ndërmarrë kohët e fundit një sërë sulmesh ajrore në Irak, duke ndihmuar forcat vendase të sigurisë dhe ato kurde që të rivënë nën kontroll zona dhe objekte të ndodhura në duart e rebelëve, përfshirë dhe digën strategjike të Mosulit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me energji elektrike.

Në Pentagon po vihet gjithmonë e më shumë theksi te nevoja për ta luftuar grupin e rrezikshëm në të dyja anët e kufirit. Por operacionin e vështirëson lufta civile në Siri.

Sipas Zërit të Amerikës, i cili citon për këto pohime zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, Obama nuk dëshiron që veprimet amerikane të shihen si ndihmë për presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili fajëson terroristët për konfliktin që ka gjunjëzuar vendin prej më shumë se tre vjetësh.

ISIS, i krijuar si degëzim i Al Kaedës, ka marrë forcë dhe rritje të re sidomos pas luftimeve në qytetin e Rakasë. Bashar al-Assad fillimisht nuk bënte diferencime në luftimet kundër armiqve të vetë. Për të ishin të gjithë “terroristë”.

Por mbetet ende pa përgjigje pyetja përse lideri sirian liroi në fillim të vitit 2012 me qindra islamistë nga burgu Saidnaja i Damaskut, pjesa më e madhe të cilëve drejtues të grupeve salafiste. Ekspertët për Sirinë e akuzojnë se regjimi synonte me këtë të theksonte pamjen e tmerrit të artikuluar vazhdimisht për sundimin e islamikeve.

Top Channel