Debati për referendumin e Skocisë

26/08/2014 00:00

Ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond dhe kryetari i Better Together, Alistair Darling janë përplasur në debatin televiziv final në prag të referendumit për pavarësinë e Skocisë.

Të ardhurat nga nafta, valuta dhe e ardhmja e armëve bërthamore ishin mes temave që nxehën më shumë debatin. Zoti Salmond tha se kundërshtari i tij po devijonte nga konservatorët sa i përket politikave që do të çonin fëmijët skocezë drejt varfërisë.

Nga ana e tij zoti Darling hodhi poshte akuzën dhe sërish sfidoi rivalin e tij të zbulonte planin e tij B për valutën.

Teksa debati zhvillohej, një sondazh i gazetës “The Guardian” dhe kompania e sondazheve ICM tregonte se Salmond gëzonte 71% të mbështetësve, ndërsa Darling vetëm 29 për qind.

Debati prej 90 minuta u transmetua nga kanali skocez i BBC dhe kanale të tjera të rrjetit informativ britanik. Formati parashikonte fjalime nga dy liderët politikë para se të nisnin debatin, si dhe një pyetje për secilin nga audienca.

Salmond dhe Darling patën të dy mundësinë të ekzaminonin planin e njëri-tjetrit për tetë minuta. Ministri i parë zgjodhi të fokusohej tek mirëqënia, duke thënë se reformat e qeverisë britanike po çojnë rreth 100 mijë fëmijë dhe qytetarë skocezë me aftësi të kufizuara drejt varfërisë.

“Po, jemi në kohë të vështira sa i takon ekonomisë, por shenja e qeverisë është se kur je në situata të tilla nuk i vë pasojat tek personat me aftësi të kufizuara dhe nuk u merr para familjeve me fëmijë. Gjithashtu, nuk iu vendoset taksa e dhomës së gjumit, që është më qesharakja e të gjitha kohërave”, deklaroi Salmond.

Duke vijuar më tej, ai i tha Darling: “Ti shkon në shtrat me konservatorët”. Ai gjithashtu sfidoi rivalin e tij të thoshte tre sektorë që krijojnë vende pune, të cilat partitë pro-unionit ofrojnë.

Nga ana e tij Darling deklaroi se si deputet laburist nuk i mbështet politikat e mirëqënies të ndërmarra nga qeveria e Londrës. Por ai argumentoi se, duke parë plakjen e popullsisë skoceze do të ishte më mirë që kostot e sigurimeve sociale të përhapeshin në mbarë Mbretërinë e Bashkuar si një e tërë.

“Askush nuk i mbështet ata që u mohojnë ndihmën njerëzve në nevojë. Ne kemi për detyrë t’i mbështesim këta njerëz”, tha ai.

Top Channel