Varrimi i Brown, babai: Sot dua paqe

25/08/2014 00:00

Babai i adoleshentit me ngjyrë e të paarmatosur, i cili u qëllua për vdekje nga një polic në Ferguson të Missourit, ka bërë thirrje për qetësi dhe paqe përpara funeralit të të birit.

“Nesër (sot), gjithçka që dua është paqja”, tha babai i Brownit përpara qindra njerëzve në një tubim në St Louis, të dielën. Vrasja e djalit të tij nxiti protesta dhe përplasje të dhunshme, por tensionet duken se janë shuar disi gjatë ditëve të fundit.

Michael Brown, 18 vjeç, u vra më 9 Gusht pasi u ndalua nga një oficer policie, teksa ecte në rrugë. Garda Kombëtare, që ndërhyri për t’u përballur me përplasjet e dhunshme në Ferguson javën e kaluar, nisi të shtunën tërheqjen nga zona, pasi tensionet nisën të uleshin.

Megjithatë, ka ende shqetësime se dhuna mund të shpërthejë sërish pas varrimit të Brownit në St Louis, rreth orës 17:00 të së hënës (10 me orën lokale).

Pritet që të ketë një prezencë tepër të madhe të forcave të sigurisë përreth kishës së zonës, ku me mijëra priten të mblidhen dhe t’i japin lamtumirën e fundit adoleshentit të vrarë.

Top Channel