Ukrainë, presidenti shpërndan Parlamentin

25/08/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës ka shpërndarë Parlamentin dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, teksa forcat pro-qeveritare vazhdojnë të luftojnë me rebelët pro-rusë në lindje të vendit.

Petro Poroshenko deklaroi se aktualisht shumë deputetë të Parlamentit janë mbështetës të presidentit të rrëzuar Viktor Yanukovych dhe se shumica e ukrainasve dëshirojnë një Parlament të ri.

Në një fjalim televiziv të transmetuar direkt, Poroshenko dha 26 tetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, në zhvillime të tjera, ushtria ukrainase njoftoi se u përplas me autoblindat e rebelëve që hynë në vend nga Rusia.

Krerët e ushtrisë njoftuan se një kolonë prej 10 tankesh dhe dy autoblindash po drejtoheshin drejt portit jug-lindor të Mariupolit, por u ndaluan. Dy tanke raportohet të jenë shkatërruar.

Mbi 2 mijë persona kanë vdekur që nga nisja e luftimeve mes forcave të rregullta ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

Dy rajonet shpallën pavarësinë nga Kievi pas aneksimit nga Rusia të gadishullit jugor të Krimesë nga Ukraina. Kjo e fundit e akuzon Moskën se armatos rebelët në lindje dhe se po dërgon trupat e saj në vend, një akuzë të cilën Kremlini e mohon.

Ditën e martë, zoti Poroshenko pritet të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Minsk të Biellorusisë për të diskutuar mbi zgjidhjen e situatës.

Top Channel