Rama: Ndërtimet pa leje, si vrasje

25/08/2014 00:00

Kryeministri i vendit Edi Rama i ka kërkuar policisë, që çdo ndërtim pa leje ta konsiderojë si një vepër penale të rëndë.

Rama duke iu drejtuar inspektorëve të Rendit publik, lajmëroi se policia do të marrë me ligjin e ri çdo kompetencë për të luftuar krimin mjedisor dhe për të mbrojtur territorin.

Ai kërkoi që në çdo moment kur lajmërohen për një ndërtim pa leje, ata të reagojnë me shpejtësi, njësoj si të ishin lajmëruar për një vrasje.

“Në bashkëpunim të ngushtë me cdo qytetar që ankohet për një ndërtim pa leje aty pranë duhen vënë në lëvizje menjëherë të gjitha strukturat e komisariateve për të vepruar njësoj sic veprojnë kur lajmërohet një vrasje, një aksident, një grabitje apo një përplasje që rrezikon të përfundojë me vdekje”, tha Rama.

Për Kryeministrin Rama, beteja duhet të fillojë që sot, pasi vendit i është bërë një e keqe e madhe, që asnjë pushtues nuk do ia kishte bërë.

“Si asnjë shoqëri tjetër jemi bërë të gjithë pjesë e një shpartallimi që asnjë pushtues nuk do t’ja bëntë një vendi, asnjë popull armik nuk do t’ja bënte një populli tjetër. Si askush dhe si asnjëherë në historinë e Europës jemi bërë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes duke goditur të përbashktën për të përfituar dicka për veten”, shtoi kreu i qeverisë.

Duke përmendur një sërë shkatërrimesh, sidomos në bregdetin shqiptar, Kryeministri tha se nëse nuk frenohet krimi mjedisor, fëmijët nuk do të kenë kujt t’i kërkojnë llogari.

“Kjo që ndodh nuk shkatërron vetëm atë që shohim, por shkatërron potencialet e zhvillimit, e bën Shqipërinë nga një vend të bekuar që mund të shndërrohet në një nga vendet më tërheqëse të Mesdheut, në një shkretëtirë mundësish, ku çdo hap do gjesh abuzuesin, do gjesh atë që e ka kthyer detin në shesh ndërtimi. Parkingje në det, gurë pa fund të hedhur në bregun e detit për të bërë pista, hotele, parkingje përpara syve qorra të autoriteteve me barkun deri në fund që jo vetëm nuk kanë ndërhyrë por kanë marrë pjesën e tyre. Kush mban përgjegjësi për këto? Kush u jep llogari fëmijëve tanë për këto? Që ne ta bëjmë llogaridhënien të qartë ne na duhet sot dhe përgjithmonë më pas që Policia e Shtetit të vendoset në vijën e parë në këtë proces”, u shpreh Rama.

Kryeministri sërish pati akuza për punën e bërë deri më tani nga Prokuroria dhe gjykata. Rama tha se ata kanë qenë prè e korrupsionit dhe nuk kanë burgosur qoftë dhe një njeri të vetëm për këtë krim. Por, ai tha se ka kërkuar bashkëpunim të kryeprokurorit dhe ka gjetur mbështetjen e tij.

“Sot më shumë se kurrë moralisht dhe shtetërisht e mban Prokuroria dhe gjykatat që nuk kanë bërë asgjë deri më sot për t’i vënë fre këtij fenomeni, i kanë trajtuar dhunuesit e pronës si mish për topat e korrupsionit. Mbi 1 mijë raste që për herë të parë në historinë e vet Policia e Shtetit ka denoncuar nuk kanë arritur që të gjejnë kurajon morale dhe ligjore që të mbajnë në burg qoftë edhe një të vetëm. Me atë teorinë e ndjekjes në gjendje të lirë që nuk është gjë tjetër veçse kthim në vendin e krimit të grabitësist të tokës dhe i ndërtuesit e paligjshëm për të vazhduar ndërtimin e paligjshëm. I kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm angazhimin e plotë të strukturave të prokurorisë dhe kam gjetur dëgjimin e vëmendshëm dhe shprehjen e vullnetit të tij të plotë për ta vënë Prokurorinë në dispozicion të kësaj beteje që nuk është një betejë për sot, por është një betejë për 100 vitet e ardhshëm, një betejë për Shqipërinë që do t’u lëmë fëmijëve tanë dhe potencialin e zhvillimit që do t’u lëmë fëmijëve tanë”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se investimet do të jenë të kota, nëse bëhen projekte atje ku vazhdohet të kafshohet territori, e bashkë me të edhe bukuria e Shqipërisë.

Top Channel