Pezullimi i lejeve të ndërtimit

25/08/2014 00:00

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame tha se vendimi i qeverisë për pezullimin e lejeve të ndërtimit deri në vitin 2015 synon t’i japë fund asaj që e quajti “dalldi të fund mandatit” të qeverisjes vendore, ndërsa i bëri apel opozitës të mos e përdorë çështjen poltikisht.

“Të gjitha institucionet e shtetit do të mobilizohen për të frenuar këtë dalldi fund-mandati që po grryente gjithcka ka mbetur hapësirë publike në qytetet tona. Ne mbetemi të hapur për çdo lloj diskutimi publik, qoftë me qytetarët qoftë më opozitën, e cila e sulmoi këtë vendim sikur do t’u heqë kafshatën e gojës punëtorëve të ndërtimit. Nuk sigurohet kafshata e gojës duke ndërtuar pallate parqet dhe lulishtet, por duke iu drejtuar zhvillimit të qendrueshëm”, tha Lame.

Sipas Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca rezulton se shumica e planeve të miratuara nga njësitë vendore cënojnë rëndë resurset natyrore, tokat bujqësore, vijën bregdetare madje duke u bërë shkas dhe për ndërtimtari me rrezikshmëri të lartë.

Greca thotë se bashkitë dhe komunat kanë zhkelur si planet vendore ashtu edhe ligjin e planifikimit e rregulloret në zbatim të tij.

“Konkretisht Bashkia e Tiranës në 48 përqind të rasteve që ka dhënë leje ndërtimi ka shkelur numrin e kateve të diktuar nga plani vendor që po kjo bashki ka miratuar vetë. Në 100 përqind të rasteve të miratimit të studimeve urbane pjesore, ka shkelur përcaktimet e ligjit të planifikimit të territorit për përfshirjen e publikut hë hartimin e tyre dhe për sigurimin e transparencës për mijëra qytetarë që banojnë në zonat ku bëhet këto ndërtime”, tha Greca.

Këshilltari i Kryeministrit për zhvillimin urban, Artan Shkreli e quajti situatën e krijuar në vend një emergjencë territoriale, tashmë jo si pasojë e ndërtimeve pa leje por vendimeve absurde të vendorëve.

“Është vërejtur se problemi më i madh në Shqipëri nuk vjen më nga ndërtimet pa leje, që brenda 1 viti po vihen nën fre, por nga planifikimet urbane joprofesionale dhe nga lejet zhvillimore absurde që pushteti vendor po jep pa përgjegjshmërinë se si ndikojnë ato në jetën e qytetarit. Kjo situatë vjen pasi ky zhvillim nuk është i ndërtuar mbi bazën e një plani kombëtar, por mbi nevojat dhe interesat e ngushta klienteliste”, tha Shkreli.

Top Channel