Netanyahu: Civilët të distancohen nga Hamasi

25/08/2014 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi qytetarët palestinezë gjatë së dielës të largohen menjëherë nga çdo vend ku operojnë militantët, një ditë pasi Izraeli bombardoi një bllok rezidencial 13-katësh, në Gaza.

Avionët izraelitë lëshuan një raketë joshpërthyese në ndërtesë, si një sinjal ndaj rezidentëve për t’u larguar, përpara se sa ajo të sulmohej gjatë së shtunës. 17 persona u plagosën nga sulmi mbi këtë strukturë, që sipas Izraelit strehonte një qendër komandimi të Hamasit.

“U bëj thirrje banorëve në Gaza të evakuohen menjëherë nga çdo vend apo hapësirë, prej nga ku Hamasi zhvillon aktivitetin e tij terrorist. Kushdo që mbetet në këto vende do të jetë nën shënjestrën tonë”, tha Netanyahu në një fjalim publik të mbajtur gjatë një takimi me kabinetin e tij qeveritar.

Duke qenë se fundi i luftimeve tashmë 7-javore duket ende larg, fjalimi i ashpër i Netanyahut duket se nënvizon edhe njëherë kalimin drejt një fushate bombardimi edhe më të ashpër ndaj objektivave të Hamasit, në vendet fqinje me densitet të lartë popullsie, pavarësisht rrezikut për të rritur më shumë alarmin e ndërkombëtarëve.

Disa orë pas fjalimit të Netanyahut, 10 shtëpi u shkatërruan nga një sulm ajror në pjesën Jugore të Gazas, Khan Younis, njëra prej të cilave i përkiste një anëtari të Hamasit.

10 persona u plagosën nga rrënojat që fluturonin në ajër, por nuk është raportuar për asnjë të vdekur. Banorët fqinj thanë se 10 minuta përpara sulmit, një raketë paralajmëruese ra në zonën në fjalë dhe rezidentët u evakuuan menjëherë.

Në qytetin e Gazas, një sulm izraelit ndaj një makine vrau Mohammed al-Ghoul, i përshkruar nga ushtria izraelit si një zyrtar i Hamasit përgjegjës për “transaksione financimi ndaj terrorizmit”. Ghoul u shënjestrua 3 ditë pasi Izraeli vrau 3 komandantë të lartë të Hamasit, në Jug të Rripit të Gazës.

Në një tjetër sulm të së dielës, një nënë me 4 fëmijë u vranë, kur shtëpia e tyre u bombardua në kampin e refugjatëve të Jabalyas, thanë burime nga spitali. Dëshmitarët thanë se ky sulm ndodhi pa paralajmërim.

Top Channel