Kalifornia nis “rimëkëmbjen” pas tërmetit

25/08/2014 00:00

Guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, shpalli gjendjen e emergjencës në pjesën veriore të shtetit, pas tronditjes nga tërmeti më i madh që goditi zonën e gjirit të San Franciscos në 25 vjet.

Lëkundjet e fuqishme të tokës shkaktuan mbi 100 të plagosur, dëmtuan ndërtesa historike e lanë pa energji elektrike me mijëra vetë.

Dëmet më të mëdha nga tërmeti me magnitudë 6 ballë janë regjistruar në zonën piktoreske të Napas, rajon i njohur ky për prodhimin e verës në Veri të Kalifornisë.

Zjarrfikësit atje po përpiqen të shuajnë disa zjarre, ndërsa ka dëmtime të mëdha të tubacioneve të ujit e atyre të gazit, të cilat janë edhe më të rrezikshme. Dëmet materiale konsiderohen të shumta, e disa ndërtesa tashmë janë bërë të pabanueshme.

Për më tepër, nuk dihet me siguri nëse më e keqja është lënë pas krahëve, pasi ekspertët paralajmërojnë se gjatë javës mund të ketë deri në 70 lëkundje të tjera tërmeti.

Fatmirësisht, dëmtimeve i kanë shpëtuar rrugët në rajon dhe urat duken gjithashtu në gjendje të mirë. Kalifornia shtrihet në zonën problematike të San Andreas, që formon kufirin tektonik mes pllakës së Paqësorit dhe asaj të Amerikës së Veriut, dy nga pllakat më të mëdha të lëvizshme, që formojnë koren e Tokës.

Tërmeti i fuqishëm i vitit 1906 në San Francisco, i pasuar nga zjarre që shkatërruan asokohe qytetin, konsiderohet një prej katastrofave më të mëdha natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel