ISIS, SHBA: Jo zgjerimit të sulmeve

25/08/2014 00:00

Gjenerali Martin Dempsey deklaroi se nuk do të urdhërojë asnjë sulm tjetër ajror nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj ISIS-it në Siri, për sa kohë që xhihadistët nuk janë bërë një kërcënim i drejtpërdrejtë për ta.

Përfaqësuesi më i lartë i forcave ushtarake amerikane foli për gazetarët në bordin e një avioni ushtarak duke udhëtuar drejt Afganistanit dhe u shpreh se grupi militant nuk është angazhuar në asnjë komplot sulmesh kundër Europës ose Uashingtonit.

Në fjalën e tij gjenerali këmbënguli se beson te aleatët kyç në rajon, duke përfshirë Jordanine, Turqinë dhe Arabinë Saudite, se do të jenë krah i fuqishëm në ndalimin e përparimit të Shtetit Islamik.

Ky konstatim i Dempsey erdhi disa ditë pasi një përfaqësues i ISIS ekzekutoi publikisht gazetarin amerikan James Foley dhe lëshoi një mesazh kërcënues ndaj Uashingtonit duke thënë se, çdo tentativë e Shtëpisë së Bardhë ndaj kalifatit të tyre do të jetë një bumerang për Amerikën.

Por edhe para pamjeve shokuese të ekzekutimit të gazetarit amerikan, përmes një dokumentari të transmetuar në Vice News, një zëdhënës i grupit xhihadist u zotua se, “për pak kohë do të arrimë të ngremë flamurin e Allahut në Shtëpinë e Bardhë”.

Deri tani përparimi i grupit islamik ka qenë i dukshëm dhe administrata Obama ka autorizuar sulmet ajrore brenda Irakut për të mbrojtur personelin e  SHBA, si edhe për të ndihmuar forcat irakene dhe ato kurde nga kërcënimi i ISIS në qytetet e tyre.

Siria i “hap dyert” Amerikës: Gati të bashkëpunojmë kundër ISIS-it

Siria
hap dyert për të luftuar terrorizmin. Ministri i Jashtëm i Damaskut,
Walid al Muallim, i cituar nga agjencia zyrtare “Sana”, ka thënë se
qeveria e Assad është e gatshme të bashkëpunojë në kuadër të rezolutës
së OKB-së për sanksione ndaj grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak.

“Damasku është gjithashtu dakord për kryerjen në territorin sirian të aksioneve ushtarake, edhe nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, por vetëm në koordinim të plotë me qeverinë siriane”, ka thënë Muallim.

Megjithatë, ministri i Jashtëm ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos kryejnë bombardime në Siri pa lejen e Damaskut, “pasi një akti i tillë, i kryer pa aprovimin e qeverisë së Bashar al Assad, do të konsiderohet një shkelje e rëndë e sovranitetit sirian dhe një agresion”.

Shefi i diplomacisë siriane ka folur gjithashtu edhe për aksionin e dështuar të forcave speciale amerikane për të liruar gazetarin James Foley, që më pas u ekzekutua brutalisht nga militantët e ISIS-it.

“Ju siguroj që po të kishte pasur koordinim mes Uashingtonit dhe qeverisë siriane, operacioni nuk do të kishte dështuar”, ka thënë Muallim, që ka dënuar vrasjen e reporterit amerikan.

Paralelisht me deklaratën e ministrit të Jashtëm sirian, komisioneria e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay ka akuzuar ISIS-in se po kryen një “pastrim etniko-fetar” në Irak dhe ka kërkuar që përgjegjësit e këtyre krimeve të akuzohen për krime kundër njerëzimit.

“Shkelje të rënda e të tmerrshme të të drejtave të njeriut po kryhen çdo ditë”, ka shtuar Pillay.

Top Channel