Ukraina, përvjetori i Pavarësisë me paradë

24/08/2014 00:00

Ukraina do të shënojë përvjetorin e Pavarësisë me një paradë ushtarake në Kiev, teksa luftimet vazhdojnë në Lindje të vendit.

Në paradë do të marrin pjesë qindra ushtarakë marshues dhe mjete të ndryshme ushtarake. Kritikët thonë se ky veprim është i papërshtatshëm, në një kohë kur Ukraina ndodhet në situatë lufte, ndërsa mbështetësit mendojnë se kjo është një shtysë për të rritur moralin.

Në një deklaratë të dhënë gjatë së dielës, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka thënë se Ukraina do të jetë nën kërcënime të vazhdueshme ushtarake në të ardhmen e afërt, sipas çdo parashikimi, duke shpallur edhe vendimin se 40 miliardë hryvnia (3 mln dollarë) do të shpenzohen për të rinovuar ushtrinë me mjete luftarake gjatë viteve 2015-17.

“Është e qartë se në të ardhmen parashikohet që, fatkeqsisht, një kërcënim i vazhdueshëm ushtarak të qëndrojë mbi Ukrainën. Ndërsa ne duhet të mësohemi, jo vetëm të jetojmë me këtë realitet, por gjithashtu të jemi gjithnjë të përgatitur për të mbrojtur pavarësinë e vendit tonë”, shtoi Poroshenko.

Rebelët pro-rusë në qytetin lindor të Donjeckut, skenë e luftimeve më të ashpra deri më tani, thanë se do të zhvillojnë paradën e tyre më vete, duke shfaqur ushtarët ukrainas të marrë peng. Luftimet 4-mujore në Lindje kanë lënë më shumë se 2000 të vdekur, ndërsa më shumë se 330 mijë kanë braktisur shtëpitë e tyre e janë zhvendosur diku tjetër. Trupat e 6 civilëve, përfshi një fëmijë, janë dëshmuar nga një korrespondent i AFP në Donjeck, gjatë së shtunës.

Konflikti vazhdon, teksa Ukraina pritet të shënojë kështu 23-vjetorin e Pavarësisë së saj nga ish-Bashkimi Sovjetik. Gjatë së shtunës, Kievi shënoi edhe Ditën e Flamurit Kombëtar, ndërsa këtë të diel pritet të shfaqet parada, me ushtarë e mjetet e lehta e të rënda ushtarake.

Ndërkohë, në qytetin port të Odessas do të zhvillohet njëkohësisht një paradë detare. Këto janë të parat parada ushtarake që prej vitit 2009, kur ish-presidenti i mëparshëm pro-rus, Viktor Yanukovych, i shfuqizoi ato.

Ngjarja e shënuar vjen një ditë pasi Kancelarja gjermane Angela Merkel nxiti të dyja palët në konflikt të bëjnë përpjekje për një armëpushim të ri. Ajo paralajmëroi se Rusia, e cila aktualisht është subjekt i sanksioneve ndëshkuese të BE-SHBA për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë, pritet të përballet me të tjera masa ndëshkuese.

Vizita e udhëheqëses gjermane në Kiev u zhvillua një ditë pasi një pjesë e kamionëve të autokolonës për ndihmë humanitare të Rusisë, kaloi kufirin pa marrë autorizimin e Kievit në territorin ukrainas e më pas u rikthye në Rusi.

Top Channel