Gaza, Egjipti sërish thirrje për armëpushim

24/08/2014 00:00

Egjipti bëri thirrje ndaj Izraelit e Palestinës që të ndalin armiqësitë dhe të rinisin bisedime për paqe, por të dyja palët vijuan me sulmet e tyre gjatë së shtunës, përfshi edhe një sulm ajror të Izraelit që shkatërroi një kullë rezidenciale në qendër të qytetit të Gazës.

Militantët e Hamasit kanë lëshuar gjithashtu raketa drejt Izraelit, duke goditur qytetin jugor të Beershebasë, ku dy persona janë plagosur, siç ka njoftuar policia. Të paktën dy raketa janë lëshuar gjithashtu nga Libani drejt Izraelit verior, por ende nuk është bërë e qartë se kush i lëshoi ato, kanë njoftuar burimet libaneze e izraelite.

Të paktën 5 raketa janë hedhur nga Siria, të cilat kanë rënë në vendndodhje të ndryshme të Lartësive Golan të pushtuara nga Izraeli, deklaroi ushtria izraelite. Të gjitha këto ranë në zona të hapura, duke mos shkaktuar asnjë viktimë apo dëm. Edhe autorët e këtyre raketave nuk janë mësuar ende.

Raportimet paraprake thonë se 17 persona janë plagosur në sulmin e izraelitëve ndaj ndërtesës 13-katëshe, kanë deklaruar zyrtarë lokalë të shëndetësisë.

Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite tha se ndërtesa, e cila u shemb tërësisht, përmbante një qendër komande që u përkiste militantëve të Hamasit. Ndërsa rezidentë lokalë thanë se aty strehoheshin 44 familje.

Një tjetër sulm izraelit shkatërroi më vonë një qendër tregtare në fshatin jugor të Gazës, Rafah, ndërsa 3 persona u plagosën siç deklaroi stafi mjekësor lokal.

5 palestinezë, përfshi dy fëmijë, u vranë në një tjetër sulm ajror të Izraelit në një shtëpi në qendër të Gazës, ndërsa 7 të tjerë nëpër sulme të tjera, përfshi 1 mbi një makinë.

Ushtria izraelite tha se kishte bombarduar rreth 20 shënjestra në Rripin e Gazës së kontrolluar prej Hamasit, përfshi vende nga ku lancoheshin raketat dhe depo armësh prapa shkollave.

Gjatë së shtunës nuk u raportua asnjë i vdekur mes izraelitëve, edhe pse raketat dhe bombat mortajë binin si reshje shiu gjatë gjithë ditës, përfshi edhe një që u kap në zonën e Tel Avivit, bëri të ditur ushtria. Të paktën 570 raketa janë lëshuar drejt Izraelit, që kur armëpushimi skadoi ditën e martë.

Top Channel