Qeveri-Bashki, replika për lejet e ndërtimit

23/08/2014 00:00

Partia Socialiste deklaroi se vendimi i qeverisë për të pezulluar lejet abuzive të ndërtimit do të ndalojë fenomenin “Lulzim Basha” në të gjithë Shqipërinë.

Socialistët e akuzuan Bashën për shpërdorim të detyrës dhe besimit të qytetarëve të Tiranës në lidhje me lejet për ndërtimin e kullave 20-katëshe.

“Në ditët e fundit opinioni publik është njohur me shkeljen e premtimit të Lulzim Bashës. Kur i duheshin votat, njësoj si Berisha, Basha u zotua për ndërtimin e një parku sportiv tek liqeni.

Por në vend të tij ai ka dhënë leje për ndërtimin e një muri gjigand betoni me pallate 20-katëshe që ndan qytetarët nga parku i mbetur i liqenit. Dhjetëra leje të tjera të tilla presin firmën e Bashës.

Me vendimin e djeshëm qeveria synon të ndalë fenomenin “Lul” dhe lejet abuzive që pjellin shëmtira publike prej betoni”, deklaroi Esmeralda Shijaku, deputete e PS.

Bashkia: Rama masakroi Tiranën në 4 vjet

Pas akuzave të PS reagoi Bashkia e Tiranës, e cila e akuzoi Edi Ramën për betonizimin e mbi 65 mijë metrave katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak.

Në një deklaratë, bashkia e kryeqytetit akuzoi shefin e qeverisë se, hapi edhe sot gjirizin e shpifjeve dhe sulmeve kundër këtij institucioni.

“Në vend të mashtrimeve që nuk i ha më askush, kryekarikatura e keqqeverisjes duhet t’i përgjigjet qytetarëve të Tiranës se pse ka bllokuar projektin e bulevardit të ri, ndërtimin e tramit dhe  stacionit multimodal të pasagjerëve”, thuhet në deklaratë. 

Top Channel