Netanjahu: Do godasim më fort në Gaza

23/08/2014 00:00

Nga njëra anë bombat e Izraelit, nga ana tjetër dara e ekstremizmit të Hamasit. Shumë nga banorët e Gazës duken të zënë në kurthin e një situate të pashpresë.

18 vetë ekzekutuan të premten nga Hamas vetëm pse dyshoheshin si informatorë të shtetit hebre. Dy prej tyre ishin gra. Sot është Kryeministri izraelit ai që premton të godasë edhe më fort Gazën pas vdekjes se një fëmije hebre 4-vjecar prej raketave të lëshuara nga territori palestinez.

“Hamasi do ta paguajë shtrenjtë vdekjen e djalit. Nga ky moment, operacionet tona ushtarake do të intensifikohen akoma më shumë deri në përmbushjen e objektivit të kësaj fushate”, tha Netanjahu.

Nga 2090 palestinezët e vrarë që nga fillimi i konfliktit, shumica dërrmuese janë civilë. Çmimin e përplasjeve të shtetit hebre dhe Hamas më shumë se kushdo tjetër po e paguajnë të pafajshmit.

414 nga të vdekurit janë fëmijë; më i vogëli vetëm 10-ditësh. Në anën e Izraelit viktimat janë 67. Edhe pse shteti hebre pretendon që 900 nga të vrarët janë militantë, të dhënat e Kombeve të Bashkuara e reduktojnë ndjeshëm këtë shifër në jo më shumë se 200.

Numri më i madh i jetëve të humbura regjistrohet në Khan Junis, në jug të Gazës. Banorët e këtij territori nuk kanë gjetur shpëtim as në shkollat e OKB-së, që supozohej të shërbenin si strehë e sigurtë për ata që përpiqen t’i largohen një spirale dhune në të cilën nuk kanë gisht.

Dëmtimi i infrastrukturës nga ana tjetër i lë njerëzit në Gaza me probleme të furnizimit me energji elektrike, ujë të rrjedhshëm dhe dëmtimi i ujësjellsave nga bombardimet ka sjellë edhe rrezikun e ndotjes.

Jemi në atë pikë ku nuk mendojmë ta bëjmë ujin të pijshëm, por ta bëjmë higjenik, pohojnë zyrtarët vendas. Mjekët paralajmërojnë mbi rrezikun e një përkeqësimi të situatës e thonë se sëmundjet kanë nisur ngadalë të përhapen.

Top Channel