Islandë, alarm i kuq për vullkanin

23/08/2014 00:00

Autoritetet në Islandë kanë dhënë alarmin e kuq për industrinë e aviacionit për shkak të aktivitetit të vullkanit Bardarbunga, që do të thotë se ka gjasa për emetime të mëdha hiri.

Zyra Meteorologjike e Islandës ka paralajmëruar se një aktivizim i vogël nënakullor është në lëvizje e sipër në Bardarbunga. Hapësira ajrore përreth vullkanit është mbyllur, por aeroportet islandeze vazhdojnë të mbeten të hapura, njoftojnë autoritetet lokale.

Vullkani Eyjafjallajokull u aktivizua në vitin 2010, duke prodhuar një re gjigande hiri që çoroditi tërësisht trafikun ajror në vend. Alarmi i kuq është paralajmërimi më i lartë i shkallës prej 5 nivelesh.

Zyra meteorologjike islandeze bëri të ditur se një grup shkencëtarësh po mbikëqyrin zonën nga ajri që prej mesditës, për të monitoruar aktivitetin sizmik.

Ndërsa policia lokale, përmes një deklarate në rrjetin social Twitter, konfirmoi se hapësira ajrore mbi Bardarbunga është mbyllur për mjetet e trafikut ajror.

Bardarbunga është pjesë e një sistemi të gjerë vullkanik të fshehur nën 500 metra gjerësi të akullnajës Vatnajokull, në qendër të Islandës.

Më herët autoritetet paralajmëruan se çdo shpërthim i vullkanit mund të shoqërohet me përmbytje pikërisht për faktin se ndodhet poshtë akullnajës së madhe.

Ditën e mërkurë, autoritetet evakuuan qindra persona nga një zonë në veri të Vatnajokull, nga frika e shpërthimit. Rajoni, që ndodhet mbi 300 km nga kryeqyteti Rejkjavik, nuk ka banorë të përhershëm, por ndodhet pranë një parku kombëtar të mbushur me turistë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel